Edhe këtë vit Kosova do të marrë pjesë në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA).Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kanë bërë të ditur se në këtë test do të marrin pjesë rreth 7 mijë nxënës.
Po ashtu është bërë e ditur se testi është paraparë të mbahet mes datave 25 prill deri më 20 maj.“Janë përzgjedhur 237 shkolla dhe rreth 7000 nxënës do të marrin pjesë në testin PISA. Jemi në kontakt me shkollat duke siguruar listën e nxënësve që do të marrin. Parashikojmë që ky test të administrohet diku rreth datave 25 prill deri më 20 maj”, ka bërë të ditur MAShTI për KALLXO.com.Nga MAShTI po ashtu kanë bërë të ditur se pandemia ka ndikuar shumë tek performanca e nxënësve.
“Ka pasur disa analiza lidhur me efektet e pandemisë në cilësinë e arsimit. Emëruesi i përbashkët i tyre është se nxënësit kanë humbur gjatë kësaj periudhe, si për shkak të ndërprerjeve të procesit mësimor, ashtu edhe për faktin se mësimi në distancë nuk është treguar si zëvendësim adekuat për mësimin me prezencë. Prandaj janë bërë dhe bëhen përpjekje të vazhdueshme për normalizimin e procesit mësimor”, është bërë e ditur më tej.
PISA, apo Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, është një studim mbarëbotëror i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në vendet anëtare dhe joanëtare, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore.
PISA mat aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në shkencë, lexim dhe matematikë dhe mbahet çdo 3 vjet.Testi PISA ishte paraparë të mbahej në vitin 2021, por është shtyrë për këtë vit për shkak të pandemisë.Kosova në vitin 2018 nuk kishte shënuar përmirësim të madh në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, tri vjet pas testit të parë, më 2015. Madje në disa fusha kishte edhe regres.
Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA 2018 e rangoi Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.Edhe në PISA 2015, Kosova ishte renditur po ashtu e treta nga fundi në tabelë, atëherë në mesin e 72 shteteve.
Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.Në vitin 2018, nxënësit kosovarë performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.