Rreth 50 mijë persona mbi moshën 65-vjeçare kanë patentë-shofer

0
259

Në vendin tonë rreth 50 mijë persona mbi moshën 65 vjeçare vazhdojnë të jenë të regjistruar me patentë-shofer. Ndërkaq Ligji për patentë- shofer parasheh që për të moshuarit mbi 65 vjeç vazhdimi i patentë-shoferit bëhet në çdo pesë vite në bazë të certifikatës mjekësore.

“Çdo njeri që del në pension duhet t’i nënshtrohet kontrolleve. Unë çdo vjet kontrolloj sytë, tensionin, yndyrat, diabetin”,  thotë Xhevat Gashi, shofer mbi 65 vjeç.

Ai pasi ka dalë në pension, për të vazhduar patentë-shoferin, duhet t’i nënshtrohet analizave mjekësore.

Personat e shtyrë në moshë e që posedojnë patentë-shofer shpeshherë pësojnë  aksidente në trafik. Madje pasojat në disa raste janë edhe me fatalitet.

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor, Jeton Rexhepi, për Radio Kosovën sqaron se shoferët që arrijnë moshën 65 vjeç, duhet çdo dy vjet t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore.

“Ndoshta në një të ardhme të afërt kjo do të ketë një praktikë tjetër mirëpo momentalisht, duhet të kenë certifikatë mjekësore çdo dy vjet. Ministria duhet t’i mbajë në evidencë”, tha ai.

Rexhepi thotë se jo çdo herë shoferët e kanë këtë mundësi. Sipas tij, me certifikata mjekësore disa shoferëve iu pamundësohet vazhdimi i patentës.

“Me certifikatat mjekësore ndodh disa herë që shoferëve iu pamundësohet vozitja e mjeteve të rënda, mjeteve të udhëtarëve dhe mjeteve që bartin materie të rrezikshme”, tha ai.

Ndërsa rreziku më i lartë sipas ekspertit të komunikacionit, Nol Dedaj, është për të moshuarit.

Ai thotë se institucionet duhet të kujdesen për infrastrukturë të duhur ligjore për pensionistë dhe persona mbi moshën 65 vjeç, që janë pjesëmarrës në trafik si vozitës të automjeteve.

Ai sqaron se personave mbi moshën 65 vjeç duhet t’u ndalohen kategoritë e larta siç janë C dhe D, dhe t’u lihet e drejta për vozitje vetëm kategoria B, por që t’iu kufizohet qarkullimi mbi 25 kilometra nga vendbanimi.

“Çdo vit duhet ta marrin certifikatën e mjekut. Kjo bëhet për shkak të zvogëlimit të aftësive mendore dhe fizike dhe mos t’iu ndalohet e drejta për vozitje”, tha ai.

Ndryshe Dedaj, vlerëson se personat të cilët ngasin automjetet mbi moshën 65 vjeç, niveli i rrezikut për sa i përket sigurisë rrugore është i lartë.

Sipas tij, lodhja, pagjumësia, sëmundjet kronike kanë ndikimin e tyre gjatë drejtimit të automjetit. Për shkak të moshës, reagimi i tyre është i ngadaltë dhe paraqesin rrezik për sigurinë rrugore./RTK

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here