Rrahmani: Nëse nuk zgjidhet presidenti, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja

0
68

Deputeti Eman Rrahmani nga Lista për Familje, në koalicion me PDK-në, ka deklaruar se në rast se nuk arrihet zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, Kosova mund të përballet me zgjedhje të reja.

Në Tëvë1, Rrahmani ka thënë se është i gatshëm që vendi të shkojë në zgjedhje për të kërkuar legjitimitet të ri politik, pasi sipas tij rezultati aktual zgjedhor nuk ofron orientim të qartë për zgjedhjen e presidentit.

“Jam plotësisht i pajtimit që vendi të shkojë në zgjedhje dhe të kërkohet legjitimitet pikërisht për këtë çështje, sepse besoj se rezultati aktual nuk jep një orientim të qartë për zgjedhjen e presidentit. Duke qenë se jam kundërshtar i madh i kësaj qeverisjeje për arsye ideologjike dhe vazhdoj të jem i tillë, e shoh këtë si një rrezik të madh për vendin dhe shoqërinë. Angazhimi im do të jetë që ta zvogëloj rezultatin e tyre”, ka deklaruar Rrahmani.

Ai ka folur edhe për qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me çështjen e presidentit, duke theksuar se ende nuk ka pasur diskutime konkrete.

“Sa i përket PDK-së, nuk është se kemi diskutuar dhe ende nuk kemi një qëndrim të qartë, por mund të them se për çështjen e presidentit do të jem në koordinim të plotë me cilindo që të jetë qëndrimi i PDK-së”, ka shtuar Rrahmani.

Deklaratat e tij vijnë në kohën kur në skenën politike po diskutohet mundësia e zgjedhjeve të parakohshme në rast të mosarritjes së konsensusit për zgjedhjen e presidentit të vendit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here