Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka mbajtur takimin përmbyllës duke analizuar aktivitetet e zhvilluara e duke bërë planifikime të veprimtarive sindikale në vitin 2024.
Sipas njoftimit të lëshuar për media, Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar “se fatkeqësisht edhe në vitin 2023 Qeveria Kurti e në këtë kuadër edhe Ministrja Nagavci kanë vazhduar me qasjen e gabuar ndaj sindikatave dhe i kanë ikur dialogut të mirëfilltë”.
Jasharaj ka kujtuar edhe tendencën e Qeverisë për shuarjen e sindikatave përmes pengesave të regjistrimit në e-Kosova, por u ka shkuar huq, siç tha Jasharaj, sepse shumica e të punësuarve në arsim kaloi këto barriera duke dëshmuar se janë bashkë e në SBASHK. Ai pastaj ka përgëzuar veprimtarët sindikalë dhe stafin qendror, të cilët kanë arritur të realizojnë detyrat e planifikuara për vitin 2023”, thuhet në njoftim.
Në fund të njoftimit thuhet se Jasharaj është shpallur sindikalist i vitit në nivel vendi në kuadër të BSPK’së.