Vazhdojnë thumbimet në distancë mes Wayne Rooney dhe Cristiano Ronaldos. Ish-goleadori anglez, i cili ka luajtur e fituar trofe me portugezin te Manchester United, dha një këshillë për drejtuesit e “Djajve të Kuq” pas barazimit ndaj Leicester City.
Në një talk show futbolli në Sky Sports, legjenda e United, aktualisht trajner i Derby County në Championship, bëri thirrje që Ronaldo të largohej këtë verë së bashku me Paul Pogba, duke pretenduar se rikthimi i tij nuk kishte qenë në interesin e klubit.
Skuadra nuk ka bërë aspak përparim sipas anglezit, teksa nuk vonoi replika e pesë herë fituesit të “Topit të Artë”. Në një foto që postoi Rooney bashkë me Jamie Carragher dhe prezantuesin David Jones, portugezi bëri një koment të shkurtër: “Dy xhelozë”.
CR7 nuk i ka pritur aspak mirë kritikat e ish-shokut të skuadrës, teksa Rooney, gjatë konferencës për shtypin, reagoi në lidhje me xhelozinë, duke futur në lojë edhe Leo Messin, rivalin e përjetshëm të Ronaldos.
“Ndoshta nuk ka asnjë lojtar në botë që nuk është xheloz për Cristianon. Për karrierën që ka zhvilluar, për trofetë dhe paratë e fituara, si dhe për fizikun e tij. Askush, përveç Messit… ”, deklaroi ish-sulmuesi i famshëm anglez.