Cristiano Ronaldo po përgatitet të rinovojë kontratën me Al Nassr deri në qershor të vitit 2026 (marrëveshja e mëparshme përfundonte në fund të këtij sezoni), duke zgjatur kështu qëndrimin e tij te klubi saudit.
Lajmi është publikuar nga saudianët e Al Khabar, të cilët gjithashtu kanë zbuluar shumën e pagës së portugezit.
Sulmuesi do të vazhdojë të marrë 200 milionë euro në vit, një shumë që mund të rritet varësisht nga bonusi i nënshkrimit dhe të ardhurat komerciale të lidhura me të drejtat e imazhit të lojtarit.
Meqë ishte në gjashtë muajt e fundit të kontratës që nënshkroi në fund të vitit 2022, kur iu bashkua Al Nassr-it, e ardhmja e Cristiano Ronaldos ishte e paqartë.
Megjithatë, portugezi do të qëndrojë në klubin që e mirëpriti në Ligën Saudite, ndërsa i njëjti burim raporton se klubi është zotuar ndaj lojtarit për ta bërë ekipin më konkurrues. Aktualisht, Al Nassr ndodhet nëntë pikë pas liderëve të kampionatit saudit, Al Ittihad dhe Al Hilal.
Ndikimi i Ronaldos te Al Nassr, për të cilin ka shënuar 81 gola në 90 ndeshje, shtrihet në të gjithë kampionatin, i cili ka fituar një rëndësi të paprecedentë që kur ‘ylli’ portugez u transferua atje, përcjell Syri.
Duke nënshkruar kontratë deri në vitin 2026, Ronaldo do të vazhdojë të luajë rregullisht deri në Kampionatin Botëror të atij viti, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
Në kohën e zhvillimit të turneut, lojtari do të jetë 41 vjeç, por me këtë rinovim, Ronaldo pa dyshim synon të jetë në formë të mirë për të përfaqësuar Portugalinë në garën më të madhe të kombëtareve në botë për herë të gjashtë në karrierë.
Këtë sezon, sulmuesi vazhdon të tregojë një performancë të shkëlqyer për Al Nassr, duke shënuar 17 gola dhe dhënë 3 asistime në 20 ndeshje, ndërsa ndodhet në një seri prej gjashtë ndeshjesh radhazi duke shënuar.