Romano: Situata në Kosovë ende e brishtë – palët të përmbahen nga retorika përçarëse dhe t’i kthehen dialogut

0
194

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s në Beograd, gjeneral brigade Giampiero Romano, ka thënë se në Kosovë situata është e qetë, por mbetet e brishtë.

Në përgjithësi, ai tha se rajoni ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve 1990, ndonëse thekson se ka ende arsye për shqetësim.

“Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n, siç thuhet në Konceptin Strategjik të NATO-s të miratuar në samitin e Madridit në vitin 2022. Kjo pikë u riafirmua në takime të shumta të nivelit të lartë, duke përfshirë në Samitin e NATO-s në Vilnius korrikun e kaluar, në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel nëntorin e kaluar dhe në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel në shkurt. Këtë e theksoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjatë vizitës së tij në rajon nëntorin e kaluar, si dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm Mircea Đoan gjatë vizitës së fundit të Këshillit të Atlantikut të Veriut në Bosnje dhe Hercegovinë. Në përgjithësi, rajoni ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve 1990. Megjithatë, ka ende arsye për kujdes. Edhe pse situata në Kosovë është stabile, ajo është ende e brishtë. Vitin e kaluar pati një rritje të tensioneve dhe dhunës, duke përfshirë sulme të paprovokuara dhe të papranueshme ndaj forcave të KFOR-it në maj, si dhe sulme ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator”, deklaroi ai.

Tutje ai thotë se përveç kësaj, ka pasur stagnim edhe në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk ka pasur përparim të dukshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dge Serbisë. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përshkallëzimi i masave, si dhe nga retorika përçarëse, dhe në vend të kësaj të kthehen me mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE.”

Ai gjithashtu tha se edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, shohim gjithashtu tensione në rritje, retorikë përçarëse dhe kërcënime secesioniste, të cilat kërcënojnë reformat dhe minojnë stabilitetin. 

“Në Bosnje dhe Hercegovinë, ne shohim gjithashtu tensione në rritje, retorikë përçarëse dhe kërcënime secesioniste, të cilat kërcënojnë reformat dhe minojnë stabilitetin. Ky është një trend shqetësues dhe i papranueshëm që sfidon shkronjën dhe frymën e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Kjo marrëveshje duhet të respektohet dhe NATO vazhdon të mbështesë plotësisht punën e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë. Përveç kësaj, NATO vazhdon të mbështesë përpjekjet reformuese të Bosnje dhe Hercegovinës dhe rrugën e saj euroatlantike. Ne kemi nevojë për përkushtim të vërtetë dhe një qasje konstruktive nga të gjithë liderët e Bosnjë-Hercegovinës në mënyrë që të sigurojmë mirëmbajtjen dhe funksionimin e strukturave të përbashkëta. Gjatë vizitës së tij në rajon, Sekretari i Përgjithshëm deklaroi se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet nga vendimi i të gjitha palëve për të zgjedhur dialogun dhe diplomacinë në vend të konfliktit dhe kaosit. Një Ballkan Perëndimor paqësor dhe i qëndrueshëm është i rëndësishëm për sigurinë tonë dhe për stabilitetin në të gjithë zonën euro-atlantike. NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj, ndër të tjera, përmes misionit tonë të KFOR-it në Kosovë, Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake në Beograd dhe selisë së NATO-s në Sarajevë”, tha ai në një intervistë për “European Western Balkans.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here