Roma vijon periudhën e artë në epokën post Mourinho, teksa kryeqytetasit me Daniele De Rossin në krye koleksionuan fitoren e tretë radhazi në kampionat.
Verdhekuqtë mposhtën në Olimpico, Cagliarin me shifrat 4-0 dhe tashmë shanset për vendin e katërt janë më reale se kurrë. Pas sfidës, trajneri Daniele De Rossi u shpreh se skuadra e tij zhvilloi një ndeshje të bukur ndërsa kaloi të gjithë vëmendjen nga prova e së vërtetës në javën e ardhshme kur do të presin kryesuesit e Inter.
“U shfaqëm të zotët në fushë, ishte një ndeshje e bukur. Por, kemi shumë punë për të bërë, mendoj se është ende shumë shpejt për të parë klasifikimin. Duhet ta pranojmë se në këto tre ndeshje jemi përballur me skuadra më pak të forta dhe që garojnë për objektiva të ndryshëm nga Roma. Nga momentet negative dilet vetëm duke qëndruar të bashkuar, lojtarëve iu thashë se duhet të besojnë te cilësitë e tyre.
Përballja me Inter? Nuk dua ta mendoj se si do të përballej Mourinho me Interin. E pashë Interin kundër Juventusit dhe një ide e kam. Megjithatë, nuk e kam menduar në detaje sepse isha i përqëndruar te Cagliari. Lojtarët meritojnë një trajner që mendon vetëm për ndeshjen e radhës.
Ndjehem mirë te Roma, kam besimin e drejtuesve. Më pëlqen që çfarë kemi praktikuar në stërvitje e kemi bërë realitet në fushë. Ndeshjen ndaj Cagliarit e menaxhuam si një skuadër e madhe”, përfundoi De Rossi./SS