Kur flasim për historinë e shqiptarëve dhe rolin e institucioneve fetare, shpesh e gjejmë veten duke u kthyer në të kaluarën për të gjetur themelet e identitetit dhe rezistencës sonë kombëtare. Një nga ngjarjet më të rëndësishme të kësaj historie është pa dyshim Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u mbajt në Xhaminë e Bajrakut në vitin 1878. Ky kuvend shënoi një pikë kthese në ngjizjen e shtetit modern shqiptar dhe ishte një shembull i fuqishëm i rolit të xhamive si qendra të rezistencës dhe organizimit kombëtar. Lidhja e Prizrenit u mbështet fuqishëm nga klerikët fetarë, të cilët luajtën një rol kyç në organizimin dhe drejtimin e këtij takimi historik. Xhamia e Bajrakut, si vendtakimi, nuk ishte thjesht një objekt kulti, por një simbol i bashkimit kombëtar dhe i vendosmërisë për mbrojtjen e tokave shqiptare.
Gjatë historisë, xhamitë në Kosovë kanë luajtur një rol të shumëanshëm në jetën e komunitetit. Përveç funksionit të tyre fetar, ato kanë shërbyer si qendra të rezistencës ndaj pushtuesve të huaj, vende ku janë organizuar shkolla paralele, kuvende të rezistencës paqësore dhe të armatosur, si dhe hapësira për pajtimin e gjaqeve. Në periudhat më të vështira, kur populli shqiptar është ballafaquar me shtypje dhe persekutim, xhamitë kanë qenë strehë për ata që kërkonin drejtësi dhe liri.
Gjatë viteve të fundit të shekullit XX, gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, xhamitë u shndërruan në vende kyçe për mbledhjen e mjeteve dhe organizimin e ndihmës për popullsinë civile dhe për nevojat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Klerikët fetarë dhe besimtarët u angazhuan me devotshmëri për të mbështetur rezistencën, duke përdorur xhamitë si qendra organizative dhe logjistike. Në këtë kontekst, xhamitë nuk ishin vetëm vende adhurimi, por edhe fortesa të rezistencës kombëtare.
P.S. Në fotografi, lapidari kushtuar betejës heroike të Lumës kundër forcave të ushtrisë serbe, që filloi këtu në këtë xhami në Qafë të Kolesjanit.
Shkruan: Blerim Q. SERAMATI
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online