Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit me sjelljen në Këshill të Evropës, kur zyrtarë të saj thanë se kanë ndikuar që të hiqet nga rendi i ditës ftesa që Kosova të bëhet mysafire speciale në një komitet politik të Asamblesë së këtij këshilli.
Rohde e ka mbështetur reagimin e Bashkimit Evropian që ka dënuar sjelljen e Serbisë në lidhje me aspiratat e Kosovës për të përmirësuar statusin e saj në Këshillin e Evropës.
‘‘Bashkimi Evropian reagoi me vendosmëri: Veprimet e Serbisë në Këshillin e Evropës që pengojnë përparimin e Kosovës shkelin Marrëveshjen e Ohrit 2023. Gjermania qëndron me Kosovën, duke mbështetur aspiratën e saj për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës dhe duke ndihmuar në sigurimin e votave bazuar në meritat e saj’’, ka shkruar ai në rrjete sociale.