Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me vonesat në konsitutimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në takimin me presidenten Vjosa Osmani, Rohde theksoi rëndësinë e veprimit të shpejtë dhe prioritizimit të çështjeve shtetërore përpara politikës partiake.
“Në takimin me presidenten Osmani, shpreha shqetësimin tim në rritje për vonesat në finalizimin e seancës konstituive të Parlamentit dhe formimin e një qeverie pas zgjedhjeve. Në peizazhin global që ndryshon me shpejtësi sot, veprimi i shpejtë është i domosdoshëm – çështjet shtetërore duhet të vijnë gjithmonë para politikës partiake”, ka deklaruar Ambasadori Rohde.
Deklarata e tij vjen në një moment kur Kosova po përballet me vonesa të mëdha në procesin e konsolidimit të institucioneve të reja, pas një periudhe të gjatë paszgjedhore.