Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka deklaruar të martën se “nga burime të ndryshme ka marrë informacionin e qarkullimit të një lajmi të rrejshëm me titull ‘E frikshme: Afër 200 kompani gjermane paralajmërojnë ikjen nga Kosova për shkak të situatës së sigurisë’”.
Mirëpo, OEGJK ka thënë se e sheh të arsyeshme të demantojë këtë lajm të rrejshëm, derisa ka shtuar që është e vërtetë se kompanitë gjermane janë të shqetësuara nga zhvillimet aktuale, sidomos pas tensioneve në veri të vendit.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Sipas tij, raportimet e mediave për largimin e 200 kompanive gjermane nga Kosova janë krejtësisht të gabuara.
“Mosrespektimi i standardeve gazetareske: As Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe as Ambasada nuk është pyetur nëse kjo është e vërtetë. Çfarë është e vërtetë: Kompanitë janë të shqetësuara për zhvillimet aktuale”, ka shkruar ai në Twitter.
OEGJK më parë kishte deklaruar ndaj zhvillimeve në Kosovë se “ky jostabilitet depërshkallëzues çon në rezultate dëmtuese sepse shumë investitorë, posaçërisht investitorët potencial nga Gjermania po pyesin: a është e sigurt këtu për të investuar”.