Real Madridi po përgatitet për një verë me ndryshime të thella pas një sezoni zhgënjyes, ku eliminimi nga Liga e Kampionëve dhe humbja ndaj Barcelonës në finalen e Copa del Rey kanë lënë pasoja të mëdha në kampin madrilen. Me gjasat për ta humbur edhe garën për titullin në La Liga, drejtuesit e klubit janë të vendosur të bëjnë “pastrim” në skuadër – dhe ndryshimet mund të nisin nga stoli teknik, shkruan 04 Online.
Një nga emrat që mund të largohet nga kryeqyteti spanjoll është sulmuesi brazilian Rodrygo. Sipas “El Chiringuito”, “Los Blancos” janë të hapur për shitjen e tij nëse arrin një ofertë e kënaqshme gjatë merkatos së verës. Vet lojtari thuhet se nuk është i lumtur me situatën aktuale dhe është i gatshëm të kërkojë një ambient të ri për të rifituar formën dhe minutat.
Rodrygo, i cili ka pasur një sezon të luhatshëm, shihet si më i afërti për largim në krahasim me bashkëkombasin e tij, Vinicius Junior. Edhe e ardhmja e trajnerit Carlo Ancelotti mbetet e pasigurt, çka e bën të qartë se Real Madridi është para një kapitulli të ri. Verë e nxehtë po vjen në “Santiago Bernabéu”./04 Online