Robertson: S’ka rrezik për luftë – siguria e Kosovës, shumë e rëndësishme për NATO-n

0
121

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, thotë se e dënon pa rezerva sulmin terrorist të ndodhur vitin e kaluar në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku.

Duke kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, Robertson thekson nevojën që të ketë një fund të dhunës në rajon dhe të ndryshojë imazhi i Ballkanit Perëndimor nga të qenit një zonë problematike në diçka që kontribuon në sigurinë më të gjerë evropiane.

Për këtë arsye, ai nënvizon se siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme për perëndimin dhe NATO-në.

Megjithëse thotë se s’ka rrezik të një lufte të re në rajon, Robertson ngrit shqetësimin se nëse Rusia ka sukses në agresionin ushtarak ndaj Ukrainës, atëherë Ballkani Perëndimor do të jenë një zonë tjetër ku presidenti rus, Vladimir Putin do të bëjë telashe.

“Siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe kjo është arsyeja pse NATO përforcoi trupat e saj edhe këtu. Kjo është arsyeja pse siguria në këtë vend do të ketë rëndësi në të ardhmen, por edhe pse siguria ekonomike do të ketë rëndësi edhe për brezin e ri”, thotë ai.

“Çdo dhunë duhet të dënohet dhe unë e dënoj atë [sulmin në Banjskë] pa rezerva. Por ne duhet të shohim përfundimisht një fund të dhunës në këtë rajon. Ky rajon ka potencial të madh, por duhet të ndryshojë imazhin e të qenit një zonë problematike në një zonë që kontribuon në sigurinë më të gjerë evropiane”, deklaron Robertson.

Ai thekson se pavarësisht tensioneve momentale, nuk ekziston një rrezik i luftës në Ballkanin Perëndimor, mirëpo sipas tij, Rusia po ndërhyn në rajon përmes luftës kibernetike.

“Nuk besoj se ekziston rreziku i luftës në Ballkan, por Rusia po ndërhyn në këtë rajon ashtu siç po sulmon Ukrainën. Dhe kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që vendet evropiane të bashkohen për të siguruar që Putini të mos ketë sukses në Ukrainë. Nëse ai ka sukses në Ukrainë, atëherë Ballkani Perëndimor do të jetë një zonë tjetër ku ai do të bëjë telashe”, thekson Robertson.

Duke folur për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, Robertson thotë se anëtarësimi i plotë në i Kosovës në NATO, do të sillte paqe të qëndrueshme në rajon, por sipas tij, kjo është çështje e aleancës më të madhe ushtarake.

“Anëtarësimi në NATO është çështje e organizatës së NATO-s. Unë jam një ish-sekretar i përgjithshëm, nuk kam asnjë kontroll mbi atë që po ndodh sot”, përfundon Robertson./KP

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here