Njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” është rikthyer me sukses në operim, pas sanimit të defekteve teknike. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se sinkronizimi me rrjetin energjetik është realizuar mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:39, dhe se aktualisht njësia po funksionon në mënyrë të qëndrueshme dhe brenda të gjithë parametrave teknikë.
“Ky rikthim në operim është rezultat i angazhimit të jashtëzakonshëm të punëtorëve dhe menaxhmentit të Termocentralit ‘Kosova B’, të cilët kanë punuar pa ndërprerje për sanimin e defektit dhe vënien në funksion të njësisë. Fillimisht, rikthimi ishte planifikuar të ndodhte në orët e hershme të mëngjesit, mirëpo pas kryerjes së provës hidraulike u evidentua nevoja për eliminimin e disa rrjedhjeve shtesë në kaldajë, çka kërkoi një fazë shtesë të ndërhyrjeve teknike”, njofton KEK.
“KEK falënderon të gjithë stafin teknik dhe menaxherial për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit, duke siguruar rikthimin në operim të njësisë B2 brenda afatit të paraparë, në përputhje me nominimet për datën 11 prill 2025”, thuhet në njoftim.
KEK ka përsëritur zotimin për të vazhduar angazhimin në sigurimin e një prodhimi të qëndrueshëm dhe të besueshëm të energjisë elektrike për vendin.
“Korporata Energjetike e Kosovës mbetet e përkushtuar për të siguruar një prodhim të qëndrueshëm dhe të besueshëm të energjisë elektrike”, përfundon njoftimi.