Liga e Kampionëve do të rikthehet sonte pas pushimit prej dy javësh shkaku i angazhimeve të Kombëtareve.
Gjigantët e futbollit evropian llogarisin në fitore në duelet përkatëse të xhiros së tretë të fazës së ligës.
Pa dyshim, dueli kryesor i natës do të jetë ai mes Real Madridit dhe Borussia Dortmudit, shkruan “Gazeta Express”.
Gjermanët janë në formë të lartë në këtë edicion në këtë garë dhe prijnë në tabelë me dy fitore.
Sidoqoftë, sonte ata i pret një punë mjaft e vështirë në “Santiago Bernabeu”.
Madrilenët janë në kërkim të fitores së dytë pasi deri tash e kanë një fitore e një humbje.
Trupa e Carlo Ancelottit synon t’i mbajë pikët në shtëpi dhe kështu t’i afrohet kreut të tabelës.
Kjo do të jetë një finale e përsëritur e edicionit paraprak të kësaj gare.
Paraprakisht, Milani do ta kërkojë fitoren e parë të Championsit në formatin e ri në formë lige.
“Rossoneri” i kanë pësuar dy humbje dhe gjenden poshtë në tabelë.
Ata do të kenë punë me Club Brugge, i cili qëndron më mirë në tabelë me një fitore e një humbje.
Kuqezinjtë do të futen sonte në lojë “all-in” pasi s’kanë çka humbin.
E gjiganti tjetër italian, Juventus synon ta regjistrojë fitoren e tretë në këtë edicion të Ligës së Kampionëve.
“Bianconeri” e kanë nisur mirë sezonin në garën elitare të futbollit evropian, ndërsa sonte do t’i bëjnë konak Stuttgartit.
Gjermanët nuk e kanë shijuar ende fitoren duke e regjistruar një barazim e një humbje në dy duelet e para.
Sonte në fushën e blertë do të zbresë edhe Arsenali, i cili do ta presë Shakhtar Donetskut.
“Topçinjtë” e duan fitoren e dytë, kurse Shakhtari të parën.
Dy ndeshje do të nisin në orën 18:45 e shtatë të tjera nga ora 21:00.