Rikthehen ampulat Omeprazol që më herët ishin larguar nga tregu kosovar

0
214

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ampulat Omeprazol për injeksion 40 mg do të rikthehen në treg, pasi që rezultatet e fituara në parametrat e kontrolluar për këtë produkt kanë rezultuar konform parametrave dhe standardeve të kërkuara të cilësisë në të dy laboratorë.

“Për shkak të rëndësisë së kësaj analize, Agjencia e Kosovës për Produkte e Pajisje Medicinale (AKPPM) paralelisht me analizën e kontrollit në Laboratorin e Kontrollit të Cilësisë ka realizuar edhe testin e krahasueshmërisë për këtë produkt edhe në Laboratorin për Kontroll të Barnave në HALMED të Kroacisë. Rezultatet e fituara në parametrat e kontrolluar për produktin omeprazol për injeksion 40 mg kanë rezultuar konform parametrave dhe standardeve të kërkuara të cilësisë në të dy laboratorët”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Kjo Ministri ka njoftuar se është shfuqizuar vendimi i AKPPM-së me të cilin këto ampula ishin larguar nga tregu.

AKPPM-ja më 5 maj të këtij viti kishte marrë vendim që të largojë nga tregu ampulat Omeprazol 40 mg, që përdoren për kurim të lukthit.

Vendimi ishte marrë me dyshimin se përdorimi i tyre kishte shkaktuar reaksione te disa pacientë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

“Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, pas informatës nga QKMF në Prishtinë, me datën 16.5.2023, në lidhje me shqetësimet e disa pacientëve, ku kanë pasur reaksione gjatë dhe pas marrjes së infuzioneve në njësitë e QKMF-së, dhe sipas informatave që i kanë marrë në terren reaksionet e pacientëve kanë qenë: ethe, cianozë, pulsi i shpejtuar, vjellje, dridhje të duarve, dhe dyshimet e para janë se këto reaksione janë shfaqur nga amp. Omeprazol 400 mg”, thuhej në vendimin e AKPPM-së gjatë muajit maj.

Mbajtësi i Autorizim Marketingut të këtij produkti ishte obliguar që në importin e serisë së radhës të sillte fillimisht mostrat e produktit për kontroll të rregullt medicinal, para se ta plasojë atë në treg.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here