Këshilli Shtetëror për Cilësi (KSHC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) në mbledhjen e fundit ka vendosur të rikreditojë Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren për periudhën trevjeçare 2023-2026. Vendimi është marr mbi bazën e Raportit të ekspertëve ndërkombëtarë të caktuar nga AKA-ja për vlerësimin institucional të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren.
Vendimin për riakreditim Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj e vlerësoi si lajm të mirë që është rezultat i punës dhe përkushtimit të gjithë punonjësve dhe studentëve të Universitetit. Me këtë rast, Rektori Krrabaj falënderoi në mënyrë të veçantë të gjithë ata që kanë kontribuar në përmbushjen e standardeve të akreditimit. Ai falënderoi edhe Drejtorin e AKA-së, zt. Naim Gashi dhe zyrtarët përkatës, anëtarët e KSHC-së dhe ekspertët ndërkombëtar për konstruktivitetin e treguar gjatë këtij procesi të rëndësishëm për Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren.
Lajmi për riakreditim është mirëpritur nga stafi dhe studentët e Universitetit.
Rikujtojmë se Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren aktualisht ofron njëzet programe studimore të organizuara në gjashtë fakultete dhe ka shënuar progres në të gjitha fushat.