Deputeti i Vetëvendosjes, Arber Rexhaj, nuk i ka konsideruar çështje pozitive deklaratat e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, ndaj kryeministrit Albin Kurti, të cilit i thotë se është “i rekrutuar nga Serbia”.
Në DPT Fidani në Klan Kosova, Rexhaj ka pohuar se deklaratat e tilla janë të gabuara.
“Nëse ti i thua një ish të burgosuri politik një pengu të luftës që është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, person i kapur apo i rekrutuar prej Serbisë. Mendoj që le të mbetet në përgjegjësinë e tij edhe unë po e mbajë ekologjinë e gojës me plotë kuptimin e fjalës”.
“Në kuptimin e asaj që edhe Zotëri Haradinaj i ka dhënë dëshmorë këtij vendi, mendoj që duhet të jetë shumë i kujdesshëm në këtë raport, sidomos kur flet për Albin Kurtin, Po nëse nuk është, mos të jetë, mendoj që opozitën që e bënë është e gabuar, por le të mbetet prapë në diskursin e tij”, ka thënë Rexhaj.
Më tej, ai ka folur edhe për deklaratat e opozitës një shumicë e të cilëve rritjen e fundit të pensioneve me 20 për qind e quajtën si rritje për fushatën e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Le ta konsiderojnë si e konsiderojnë, ata është qytetari që e sheh, është rritje objektive, rritja e 20 për qindshit mendoj se po të ishte elektorale rritja do të ishte 100 apo 200 për qind, siç po bëjnë ata ende pa hyrë në fushatë”.
“Kemi bërë një rritje 20 për qind që është një rritje besoj fillestare dhe është e mirë, dhe jemi në rrugë të mbarë”, ka thënë Rexhaj. /Klankosova.tv