Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj, i përcjellur nga deputeti Artan Abrashi dhe asambleist e zyrtarë të LVV-së në Prizren kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh pranë Lapidarit të Dëshmorëve të Kombit në Zhur dhe lagjen Arbana, në përkujtim të rënies së tyre në demonstratat kundër regjimit të Millosheviqit më 28 mars 1989 dhe gjatë luftës më 1999, shkruan 04 Online.
Ai theksoi rëndësinë e kujtimit dhe nderimit të sakrificës së tyre për lirinë e Kosovës.
“Sot bëmë homazhe dhe vendosëm kurora lulesh pranë Lapidarit të Dëshmorëve të Kombit, Xhimshit Badalli, Gjylbear Badalli dhe Hajrim Badalli, në nderim dhe përkujtim të 36 vjetorit të rënies së tyre, në protestat dhe demonstratat e fshatit Zhur kundër forcave të regjimit fashist të Millosheviqit, më 28 mars të vitit 1989.
Gjithashtu, pranë lapidarit të dëshmorëve në lagjen Arbana, nderuam dhe përkujtuam në 26 – vjetorin e rënies së tyre dëshmorët e kombit, Nehbi Buqa, Enver Buqa dhe Imer Buqa si dhe në 36 vjetorin e rënies së tyre nderuam dhe i përkujtuam Muhamet (Haxhi) Kabashi dhe Afrim(Avdullah) Bytyqi dëshmorë të demonstratës në mars të vitit 1989.
Lavdi dëshmorëve të kombit“, ka thënë Rexhaj./04 Online