Çrregullimet e shëndetit mendor dhe emocional që nuk trajtohen kanë tendencë të përkeqësohen me kalimin e kohës, ndikojnë negativisht në funksionimin e përditshëm, ku përfshihen perceptimi për veten, puna, marrëdhëniet personale dhe aktivitetet sociale.
Vlerësimi i hershëm i gjendjes dhe ndërhyrja e hershme terapeutike ndihmojnë në ndalimin e përparimit të shqetësimeve fillestare apo simptomave, ulin mundësinë për përkeqësim të mëtejshëm, dhe rrisin efektivitetin e trajtimit, duke sjellë një ndryshim të menjëhershëm të gjendjes. Gjithashtu, trajtimi i hershëm mundëson reduktimin e ndikimeve afatgjata, që do të thotë se çrregullimet e shëndetit mendor që trajtohen vonë mund të shkaktojnë ndryshime afatgjata në tru dhe të ndikojnë në shëndetin fizik. Trajtimi i hershëm mund të ndihmojë në zvogëlimin e këtyre rreziqeve dhe në mbrojtjen e mirëqenies së përgjithshme të individit, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe ndikuar pozitivisht në perceptimin për veten, vetëvlerësimin, si dhe në rritjen e ndjenjës së mirëqenies psikologjike, emocionale dhe sociale.
Si mund të arrihet trajtimi i hershëm?
Me identifikimin, vlerësimin dhe trajtimin e shenjave të hershme që mund të jenë paralajmëruese për një çrregullim të shëndetit mendor ose emocional në të ardhmen.
Disa nga këto shenja janë:
▫️1. Ndryshime në rutinën e të ushqyerit: ulje ose rritje të oreksit (graduale, e moderuar ose e menjëhershme), dhimbje stomaku, dhimbje koke, molisje e lehtë, ndjesi e të vjellurit herë pas here, ndryshime të lehta në rutinën e gjumit-pa shkaktarë organik.
▫️2. Vështirësi për t’u përqendruar në aktivitete ditore dhe detyra specifike, herë pas here dëshirë për mos përfshirje në aktivitete sociale, rrëmujë në vendet ku individi jeton dhe punon, vështirësi për vetëkujdes ose vetëmirëmbajtje.
▫️3. Ndjesia e lehtë sikur vetë individi nuk po e jeton jetën, por vetëm po e shikon atë. Vetëgjykim dhe zemërim i herëpashershëm për veten, zbehje e ideve për të ardhmen, sjellje të pashëndetshme si përdorim i tejzgjatur i telefonit, ndjenja faji të herëpashershme, mendime të shpeshta për të kaluarën, humbje graduale e vullnetit dhe zbehje e marrjes së kënaqësisë në aktivitete të ndryshme sociale dhe ditore.
Këto janë disa nga shenjat paralajmëruese të cilat janë delikate dhe mund të injorohen lehtësisht, por janë tregues që kemi nevojë për vlerësim dhe ndihmë profesionale. Sa më e hershëme ndërhyrja terapeutike, aq më efektiv është trajtimi. Të kërkosh ndihmë nga profesionisti i shëndetit mendor/emocional tregon që vlerëson dhe respekton veten. Mos të harrojmë, asnjëherë nuk është vonë.
Ju mirëpresim!
Shkruan: Mr. Sci Elma Miftari – Neuropsikologe klinike, specialiste per neurobiologjine e trurit dhe nderhyrjet kognitive dhe farmakologjike