Regjistrimi i popullsisë 2023, ende nuk dihet nëse procesi do nisë më 1 shtator

0
271

Kanë kaluar 12 vite që kur Kosova ka bërë regjistrimin e popullsisë për të fundit herë. Pas një vendimi të vitit 2022, është planifikuar që ky proces të mbahet gjatë këtij viti, nga 1 shtatori deri më 16 tetor.

Ndonëse procesi pritet të nis edhe dy javë, 1 shtatori është ende në vlerësim e sipër nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për t’u vendosur si datë përfundimtare. Kështu është bërë e ditur nga Qeveria e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu thotë se në të njëjtën kohë, ASK-ja është duke bërë përgatitjet e nevojshme.

“Regjistrimi i popullsisë është proces i rregulluar me Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë. Në bazë të këtij Ligji, Qeveria ka caktuar Komisionin Qendror të Regjistrimit si dhe periudhën gjatë të cilës do bëhet regjistrimi i popullsisë. Aktualisht, ASK është duke bërë vlerësimet nëse data 1 shtator do të jetë përfundimisht data e fillimit të procesit të regjistrimit, por në të njëjtën kohë është duke bërë edhe përgatitjet e nevojshme”, deklaroi ai.

Pjesë e regjistrimit të popullsisë janë edhe katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, të cilat procesin e fundit të mbajtur më 2011, e kishin bojkotuar.

I pyetur se si do veprohet në këto komuna, nisur nga situata e tensionuar muajve të fundit në atë pjesë, Kryeziu deklaroi se regjistrimi do përfshijë gjithë territorin e Kosovës.

“Është me rëndësi të theksohet se regjistrim bëhet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Marrë parasysh regjistrimin e fundit të popullsisë, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milion banorë, duke mos përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Ky proces ishte paraparë të bëhet në vitin 2021, por që fillimisht ishte shtyrë për vitin 2022, e pastaj ishte vendosur për vitin 2023.

Regjistrimi i popullsisë konsiderohet ndër proceset më të rëndësishme të një shteti, pasi sigurohen të dhëna për numrin dhe shtrirjen gjeografike të popullsisë në tërë vendin, strukturën demografike, vlerësimin e kushteve të jetesës së popullsisë si dhe karakteristika të tjera. /Teve1.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here