Refluksi që djeg ezofagun/ “Rrezik për zhvillimin e kancerit!”

0
66

Djegia e kraharorit, hidhësia në gojë, ndjesia e shqetësimit pas vakteve, kollitja e natës apo dhimbja e fytit janë simptoma që shumë njerëz i neglizhojnë ose i lidhin me problemet e përkohshme të tretjes.

Por në shumë raste, këto shenja tregojnë për një problem të zakonshëm, por serioz: ezofagitin refluksiv. Ky inflamacion i ezofagut, që shkaktohet nga rikthimi i lëngjeve acidike nga stomaku, po bëhet gjithnjë e më i përhapur në shoqëritë moderne për shkak të stilit të jetesës, dietës jo të shëndetshme dhe stresit të përditshëm.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, mjeku internist Gerald Kola tregon se çfarë është ezofagiti refluksiv, si ndodh rikthimi i lëngjeve acidike në ezofag, cilat janë shkaqet kryesore, simptomat paralajmëruese, mënyrat e sakta për të vendosur diagnozën dhe alternativat më të sigurta të trajtimit nga ndryshimet në jetesë deri te ndërhyrjet kirurgjikale në rastet më të avancuara.

Dr. Kola, çfarë është konkretisht ezofagiti refluksiv?

Ezofagiti refluksiv përkufizohet si një inflamacion i ezofagut, i cili është tubi që lidh gojën me stomakun. Ky inflamacion është pasojë e një dukurie që quhet refluks gastroezofageal, pra rikthimi i lëngjeve acidike nga stomaku drejt ezofagut. Ky rikthim i vazhdueshëm i përmbajtjes acidike irriton shtresën e brendshme të ezofagut dhe nëse gjendja nuk trajtohet siç duhet dhe në kohë, mund të çojë në dëmtime të konsiderueshme të këtij organi.

Cilat janë shkaqet kryesore që e nxisin këtë gjendje?

Shkaku më i zakonshëm është relaksimi i sfinkterit të poshtëm të ezofagut, i cili është një muskul që në kushte normale duhet të mbyllet automatikisht pas kalimit të ushqimit në stomak. Kur ky muskul nuk arrin të funksionojë siç duhet, ndodh rikthimi i lëngjeve acidike drejt ezofagut. Gjithashtu, një tjetër shkak i rëndësishëm është hernia hiatale, e cila ndodh kur një pjesë e stomakut del përmes diafragmës në zgavrën e kraharorit. Kjo gjendje mund të ndikojë në dobësimin e sfinkterit dhe në lehtësimin e refluksit. Po ashtu, obeziteti konsiderohet një faktor i madh risku, pasi rrit presionin brenda barkut dhe favorizon rikthimin e përmbajtjes së stomakut në ezofag.

Po ushqimi si ndikon?

Duhet theksuar gjithashtu se edhe mënyra e të ushqyerit ka një rol të rëndësishëm: konsumimi i ushqimeve të yndyrshme, pikante, çokollatës, alkoolit dhe kafesë kontribuojnë ndjeshëm në shfaqjen dhe përkeqësimin e refluksit. Nga ana tjetër, pirja e duhanit ndikon negativisht në tonusin e sfinkterit dhe përkeqëson gjendjen. Së fundi, disa medikamente të zakonshme, veçanërisht antiinflamatorët josteroidalë, mund të irritojnë mukozën e ezofagut dhe të shtojnë rrezikun për refluks.

Si e kupton pacienti se mund të vuajë nga refluksi? Cilat janë simptomat që duhen marrë seriozisht?

Simptoma më e zakonshme dhe më karakteristike është djegia që ndihet pas sternumit, e njohur ndryshe si urthi. Përveç kësaj, shumë pacientë ndiejnë edhe një ndjesi hidhësie ose aciditeti në gojë, që ndodh kur lëngjet e stomakut arrijnë deri në pjesën e sipërme të ezofagut dhe gojë. Gjithashtu, në shumë raste shfaqen vështirësi ose edhe dhimbje gjatë gëlltitjes, që njihen përkatësisht si disfagi dhe odinofagi.

Një tjetër simptomë që shpesh ngatërrohet me probleme të tjera, si ato kardiake, është dhimbja e kraharorit. Pacientët mund të përjetojnë gjithashtu kollë të thatë, veçanërisht gjatë natës dhe jo rrallëherë ankohen për ngjirje të zërit apo dhimbje fyti. Të gjitha këto simptoma janë sinjale që nuk duhet injoruar.

Cilat janë metodat që përdoren për të vendosur një diagnozë të saktë?

Diagnostikimi fillon me një ekzaminim të quajtur endoskopi digjestive, e cila lejon inspektimin direkt të ezofagut përmes një kamere të vogël dhe fleksibël. Në disa raste, për të konfirmuar natyrën e inflamacionit apo për të përjashtuar ndërlikime më të rënda, mjeku mund të marrë një fragment të vogël të mukozës për analizë, kjo njihet si biopsi. Një tjetër metodë shumë e rëndësishme është pH-metria ezofageale, e cila mat aciditetin në ezofag përgjatë një periudhe 24- orëshe dhe ndihmon për të vlerësuar frekuencën dhe intensitetin e refluksit. Radiografia me kontrast gjithashtu mund të përdoret në disa raste për të vëzhguar strukturën e ezofagut dhe për të identifikuar anomali të mundshme anatomike.

Si trajtohet kjo gjendje dhe a ka shpresë për përmirësim të plotë?

Po, ezofagiti refluksivështë një gjendje që në shumicën e rasteve trajtohet me sukses, veçanërisht nëse pacienti ndjek me përpikëri udhëzimet mjekësore. Trajtimi fillon zakonisht me ndryshime në stilin e jetesës. Nëse pacienti është mbi peshë, humbja në peshë është një nga rekomandimet kryesore. Gjithashtu, rekomandohet që gjatë gjumit të ngrihet koka e shtratit me disa centimetra për të parandaluar kthimin e lëngjeve gjatë natës. Duhet shmangur konsumimi i ushqimeve që nxisin refluksin dhe në të njëjtën kohë ndalohet duhani dhe reduktohet në maksimum përdorimi i alkoolit. Nëse këto masa nuk janë të mjaftueshme, përdoren terapi medikamentoze, ndër të cilat më të efektshmit janë inhibitorët e pompës protonike, si omeprazoli dhe pantoprazoli, që reduktojnë prodhimin e acidit në stomak. Në disa raste mund të përdoren edhe antagonistët e receptorëve H2, si ranitidina, megjithëse përdorimi i saj është kufizuar në disa vende për arsye të sigurisë.

Për lehtësim të përkohshëm të simptomave, mund të përdoren antacide që neutralizojnë acidin.

Kur mund të përdoret kirurgjia?

Në raste të rënda ose kur terapia mjekësore nuk jep rezultatet e pritura, mund të konsiderohet ndërhyrja kirurgjikale. Një nga ndërhyrjet më të njohura është fundoplikatura Nissen, e cila konsiston në forcimin e sfinkterit të poshtëm të ezofagut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here