Sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappe, është diagnostikuar me një shtrembërim të gjurit të majtë dhe në këtë fazë nuk do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. 27-vjeçari ka pasur probleme me ligamentin e jashtëm të gjurit që nga fundi i vitit 2025 dhe së fundmi udhëtoi në Paris për teste shtesë me stafin mjekësor të klubit.
Ai mungoi në ndeshjen e kthimit të play-off-it të Ligës së Kampionëve kundër Benficës dhe do të mbetet jashtë edhe për sfidën e La Ligës ndaj Getafes. Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse do të jetë i gatshëm për përballjen me Manchester Cityn në ndeshjen e parë të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve.
Real Madridi konfirmoi se “diagnoza e një shtrembërimi në gjurin e tij të majtë është konfirmuar” dhe se lojtari do të vazhdojë me “trajtimit konservativ”.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e tij theksuan: “Në marrëveshje me klubin, ai po i nënshtrohet testeve të mëtejshme në gju me qëllim optimizimin e kujdesit pasues dhe përgatitjen për rikthimin e tij”.
“Asnjë ndërhyrje kirurgjikale nuk është planifikuar për momentin”.
Trajneri Alvaro Arbeloa shtoi: “Ishte një lloj konsensusi midis të gjithëve dhe mendojmë se gjëja më e mirë është që ai të ndalet, të rikuperohet dhe të kthehet në 100% formën e tij”.
“Nuk do të jetë çështje ditësh, do të jetë pak më e gjatë, por nuk mund të them se sa kohë. Shpresojmë jo shumë gjatë.”./04 Online













































