Real Madrid ka pësuar një humbje të papritur 0-1 në “Santiago Bernabéu” përballë Getafes, një rezultat që ka trazuar jo pak ambientin te “Los Blancos” dhe ka komplikuar garën për titull në La Liga.
Pas ndeshjes, trajneri Álvaro Arbeloa u shfaq i pakënaqur me mënyrën se si u zhvillua takimi, duke theksuar se ndërprerjet e shumta dhe ritmi i fragmentuar i lojës ndikuan drejtpërdrejt në performancën e skuadrës së tij.
Në konferencën për shtyp, ai deklaroi:
“Kemi pasur raste më të qarta se Getafe. Gjyqtari e lejoi këtë lloj ndeshjeje, me shumë ndërprerje dhe zhagitje. Nuk është një kritikë ndaj tyre si ekip – ata e bëjnë atë që e lejon drejtuesi i ndeshjes.”
Sipas Arbeloas, Reali krijoi mundësi më të pastra shënimi, por e pati të vështirë të gjente vazhdimësinë përballë një kundërshtari që luajti i tërhequr dhe shfrytëzoi çdo ndërprerje për të thyer ritmin e vendasve.
Trajneri u ndal edhe te reagimi i tifozëve ndaj Thiago Pitarch, i cili u fishkëllye në momentin e zëvendësimit. Arbeloa theksoi se futbollistë të tillë meritojnë mbështetje, duke nënvizuar kontributin e tyre në fushë.
Pavarësisht disfatës, ai mbajti një ton optimist për vazhdimësinë e kampionatit:
“Janë ende 36 pikë për t’u fituar dhe Real Madrid nuk dorëzohet kurrë. Mendojmë se mund t’i rikuperojmë.”
Arbeloa mori gjithashtu përgjegjësinë për rezultatin, duke pranuar se skuadra duhet të përmirësohet në fazën sulmuese, sidomos ndaj kundërshtarëve që mbrohen thellë.
Sfida e radhës ndaj Celta de Vigo do të jetë një tjetër test i vështirë, pasi madrilenët do të mungojnë disa lojtarë për shkak të suspendimeve. Megjithatë, trajneri theksoi se ekipi duhet të përballet me situatën pa justifikime.
Humbja ndaj Getafes ka bërë që diferenca në krye të tabelës të zgjerohet, me Barcelonën që tashmë ka katër pikë më shumë, duke e bërë edhe më intensive garën për titull në javët në vazhdim./04 Online













































