Real Madrid po përgatitet të ndërmarrë një hap të shpejtë në merkato pas formës mbresëlënëse të Nico Paz në Serie A. Mesfushori ofensiv, i cili iu bashkua Comos në vitin 2024, është shndërruar në një nga lojtarët më të spikatur të kampionatit italian, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e madrilenëve.
Sipas gazetarit të njohur Gaston Edul, Real Madrid pritet të aktivizojë opsionin e riblerjes që në muajin janar, shumë më herët se sa ishte parashikuar fillimisht. Forma e shkëlqyer e 20-vjeçarit ka bërë klubin “merengues” të përshpejtojë planet dhe të sigurojë kthimin e tij në “Santiago Bernabéu”.
Nico Paz ka regjistruar deri tani 48 paraqitje, duke shënuar 11 gola dhe duke dhënë 13 asiste për skuadrën e trajnerit Cesc Fàbregas – shifra që e kanë vendosur mes mesfushorëve më produktivë në Serie A.
Rikthimi i tij në Madrid pritet të sjellë freski dhe konkurrencë në mesfushën e ekipit, ndërsa tifozët po e presin me entuziazëm rikthimin e një prej talenteve më premtues të akademisë së klubit./04 Online














































