Sipas opinionit tim theksoj se besytnitë, dogmat, mediokritetet, dijet e varfëruara e të deformuara nën ndikimin e besimeve mistike nga tabutë dhe totemet që kanë prodhuar opiume atje në lashtësinë e pararendësve tanë si ato për demonën(xhindët) e deri sot ushtrojnë impakt sentimental duke segmentuar dhe formësuar mekanizma të simptoformimit deluziv e kryefortë mes iluzioneve të “magjishme” në shëndetin mendor të shoqërisë tonë.
Këto predikime dëmtuese nga përsona manovrues që refuzojnë shkencën e sotme të pasur me evidentime e hulumtime metodologjike duhet të argumentohen para publikut dhe gjithë njerëzve faktin shkencor të këtyre predikimeve të shtrembërruara e në kontradiksion të plotë me shkrimet hyjnore(shkencore) të Kur’anit apo shkrimeve Biblike, në të kundërt po këta predikues janë në konflikt me çdo normë dhe etikë shkencore e mjekësore.
Fillimisht i kērkoj Hoxhës një argument objektiv nga një evidentim shkencor për cilin demon apo xhind e ka fjalën ?
Së dyti, çfarë lidhje ekziston në mes të stomakut, maremendjes dhe demonëve(xhindëve) ?
Së treti, cili është ushqimi specifik që vajza
(e inskenuar) si paciente që vuan nga pushtimi demoniak e ka ngrënë dhe ky demon ka pushtuar trupin e saj ?
Së katërti, nëse Rukjen Kur’anore(hyjnore) do ta lexonte në gjuhën shqipe ose ndonjë gjuhë tjetër përveq arabe ky lloj demoni do ta kuptonte dhe do “largohej” apo jo ?
Së fundmi, teologë të këtillë e njohin ndopak Psikologjinë dhe Neuroshkencën apo njohin vetëm “botëra paralele” noumenale, metafizike, dhe përkitazi injektojnë në trurin social informacione iracionale, depërtojnë në ndjeshmërinë e tyre duke dëmtuar kognicionin akoma më shumë tek njerëzit që presupozohet se vuajnë nga çrregullime psikosomatoforme, hipokandriake, histrionike, anksio-depresive, psikotike, neuroza konverzive, (skizofrenike) paranoide,PTSD, OCD, etj
Më thuani ju teologë, hoxhallarë, por edhe priftërinjë, e shumë degëzime tjera fetare si mund ta faktoni shkencërisht ekzistencën e një xhindi që po bën kaq shumë telashe si një i llastuar kudo nëpër mjediset tona shoqërore ?
Ky xhind ka ndonjë detyrim kreditor që këmbngul të bashkëpunoj me njerëzit e pseudo-profesionalizuar e të thith fonde nga brenda realitetit tonë njerëzor me vlera kaq interesante në mënyrë që të dal nga trupi ?
Sa është valuta e Euros 💶 në botërat paralele të demonëve(xhindëve) ?
Shkrimet profetike në secilin religjion janë hyjnore(shpirtërore të kristalizuara) kanë një respekt të veçuar psikoedukativ për të gjitha strukturat sociale(shoqërore) por mbitheksimi i rolit të demonëve në jetën tonë njerëzore është tendencë krejtësisht profitabile dhe nga pikëpamja ime këta specialistë(ekzorcistë) depërtojnë emocionalisht përmes”Dark Empathy” me mjeshtëri.
Ndërsa tani në këtë shekull të këndoni përralla mitologjike mbi demonët, është e papranueshme.
Të jeni të bindur se në çdo shkrim Kur’anor dhe Biblik theksohet vazhdimisht roli i Psikologjisë jetësore, mendjes, dhe mrekullisë(truri), por keqintepretimet nga fillestarët tërthorazi konfabulojnë ngjarje të frikshme për të censuruar vullnetin e shëndoshë të njerëzve që të kenë një jetë të rehatshme.
Sigurisht që kundërshtoj dhe llambën e Aladinit si plotësim dëshirash, por lërini njerëzit që të trajtohen psikologjikisht nga këto karikatura obsesionale e ta jetësojnë mirëqenien mendore me kualitete e cilësi të kënaqshme sepse dramaturgjitë e tilla sugjestibile janë për teatro e mjedise kinemaje e jo për realitetin aktual super dinamik socio-kulturor e psikologjik.
Tani mu kujtua, po mirë në qoftë se i gjithë planeti Tokë pushtohet nga Intelgjenca artificiale me robotë të sofistikuar demonët dhe xhindët çfarë do të bëjnë, kanë ndonjë mënyrë se si do të depërtojnë në sistemin kompjuterik të tyre, apo do sfidohen në rivalitete konkurrencash.
Të lutem, Albert Ajnshtajn, Sigmund Frojd, Charls Darvin, Isak Njuton, Stephen Hawking, Edison, Tesla, Niçe etj ringjalluni dhe na ndihmoni, ju jeni të bekuarit e Zotit që ju dhuroi mendje të ndritura intelegjente pa të cilat sot ne me të vërtetë do ishim të pushtuar nga “Demonët”.
Shkruan: Rron KASTRATI – Psikolog
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online