Reagon LVV-ja në Prizren: Korrupsioni me firmë të kryetarit – Totaj

0
374

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Themelore ndaj disa zyrtarëve komunalë dhe një përfaqësuesi të kompanisë private për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik.

LVV akuzon PDK-në dhe kryetarin Shaqir Totaj për kapje të institucioneve dhe zhytje të komunës në afera korruptive, duke kërkuar qeverisje të ndershme dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.

Komunikata e plotë e LVV-së:

Korrupsioni me firmë të kryetarit – Totaj

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren e mirëpret ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ndaj zyrtarëve komunalë dhe përfaqësuesit të kompanisë private për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe mashtrimit në prokurim publik, në një skandal që kap vlerën mbi 550 mijë euro, e që ka shkaktuar dëm financiar mbi 412 mijë euro në buxhetin e Komunës së Prizrenit.

Sipas aktakuzës, zyrtarë të Komunës, në bashkëpunim me kompani private, kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme një grup operatorësh ekonomikë në një tender publik për “Renovim dhe mirëmbajtje të objekteve të Komunës”, duke shpërfillur pesë oferta të tjera me çmime më të ulëta. Për më tepër, kontrata është menaxhuar në mënyrë të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me ligjin për prokurim publik, duke përfunduar me realizimin vetëm të një pjese të punëve të parapara dhe duke krijuar një dëm të drejtpërdrejtë ndaj financave publike të qytetarëve të Prizrenit.

Ky rast është dëshmi e qartë e kapjes së institucioneve në nivel lokal, nga Partia Demokratike e Kosovës dhe kryetarit Shaqir Totaj, të cilët e kanë shndërruar Komunën e Prizrenit në vend të favoreve klienteliste, korrupsionit institucional dhe shpërdorimit të parasë publike.

Ne ritheksojmë se qeverisja e PDK dhe kryetarit Shaqir Totaj, është shndërruar në simbol të keqpërdorimit e zhvatjes së parasë publike në Komunën e Prizrenit. Qytetarët e Prizrenit nuk e meritojnë një pushtet të zhytur në afera korruptive!

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren beson qytetarët e Prizrenit meritojnë një qeverisje të ndershme, transparente dhe në shërbim të tyre!

Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Prizren!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here