Reagon KMDLNj: Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, mos – dekretimi i kryeprokurorit dhe “çështja Veton Berisha”

0
152

Pasi serbët e Veriut të Kosovës u tërhoqën nga të gjitha institucionet, me ta edhe kryetarët e komunave, presidentja e Kosovës, në kuadër të mandatit kushtetues shpalli zgjedhje lokale që, pas vlerësimit të situatës dhe rekomandimit të ndërkombëtarëve u anuluan për t’i shpallur zgjedhjet e radhës lokale që parashihen të mbahen  me 23 prill 2023.

Në këto zgjedhje Lista Serbe refuzoi të marrë pjesë duke e kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre me dy kërkesa krejtësisht politike dhe të papranueshme për çdo shtet normal; krijimin e menjëhershëm  të  Asociacionit – Zajednicës dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga Veriu i Kosovës. Në ndërkohë u certifikuan kandidatë të subjekteve pjesëmarrëse në këto zgjedhje sikur që filluan me organizimin e zgjedhjeve nga KQZ-ë.Paralelisht me këto zhvillime, rutinore dhe teknike, pati zhvillime që ndikuan në përshkallëzimin e situatës së sigurisë; deklaratat kinse policia e Kosovës po keqtrajton qytetarë serbë në Veri, për ta arsyetuar kërkesën për tërheqje të njësive speciale të Policisë së Kosovës si dhe zjarrëvënia në veturat e qytetarëve serbë të Kosovës që i kishin regjistruar veturat me tabela të rregullta dhe të ligjshme që përdoren në territorin e Kosovës e që e parashihte edhe marrëveshja e arritur muaj më parë. Përshkallëzimi i situatës është bërë me qëllim të pengimit të mbajtjes së zgjedhjeve lokale, në organizimin e Listes Serbe sikur edhe të përkrahur, në çdo mënyrë nga autoritetet serbe në Beograd. Se si po zhvillohen ngjarjet, është e vështirë apo thuaja e pamundur të krijohen kushte për mbajtje të zgjedhjeve lokale, të rregullta, ashtu siç e parasheh ligji. Situata e sigurisë është e paqëndrueshme e që mund të përshkallëzohet edhe më shumë, vendvotimet vështirë të hapen në shkolla apo institucione që garantojnë siguri, policia e Kosovës është në situatë të vështirë sepse çdo ndërhyrje për qetësim apo menaxhim të situatës gjatë zgjedhjeve, mund dhe do të interpretohet si ndërhyrje e motivuar politikisht apo etnikisht. Askush nuk mund të garantojë siguri për votuesit sikur që edhe numri i votuesve do të jetë shumë i vogël që nënkupton një legjitimitet të munguar në përfaqësim të qytetarëve serb në veri të Kosovës. Dhe, më e rëndësishmje është se mungon vullneti politik, sidomos i Beogradit që të mbahen zgjedhje të drejta, të rregullta dhe të papenguara ku qytetarët do të votonin në bazë të vullnetit të tyre të pakushtëzuar me asgjë. Në këto rrethana, KMDLNj –ë vlerëson se nuk ka kushte për mbajtje të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, sipas ligjit dhe sipas standardeve minimale ndërkombëtare prandaj duhet të mendohet, nëse ia vlenë të bëhet një improvizim i mbajtjes së zgjedhjeve në këto kushte e që, pa asnjë dyshim do të përsëriteshin shpejt.  Mundësia e vetme e mbajtjes së zgjedhjeve është harmonizimi i një marrëveshjeje  politike, në nivelin më të lartë ndonëse zgjedhjet janë çështje ekskluzivisht e brendshme e një shteti. Mirëpo, ky standard dhe parim, me rastin e Kosovës është shkelur shumë herë. Është kohë shumë e shkurtër të pranohen kushtëzimet politike të Listes Serbe siç janë formimi i menjëhershëm i Asociacionit–Zajednices dhe tërheqja e njësisë speciale të Policisë së Kosovës por … nuk i dihet! Në këto rrethana nuk ka as kushte minimale për mbajtje të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës. Në anën tjetër, veriu i Kosovës, për shkak të bojkotit është shndërruar në shkretërirë të veprimit institucional.

Para një viti, Paneli intervistues i Këshillit Prokurorial të Kosovës , nga lista e ngushtë a atyre që plotësonin kushtet për postin e Kryeprokurorit të Shtetit i propozoi presidentes së vendit, Vjosa Osmani që të dekretoi Blerim Isufajn për Kryeprokuror pasi ishte më i vlerësuar në listë dhe i plotësonte të gjitha kriteret profesionale për këtë post. Pati kundërshtime nga një pjesë e shoqërisë civile , nga disa kandidatë sikur edhe nga britanikët që kanë marrëveshje me qeverinë e Kosovës për zgjidhje dhe emërim të kandidatëve në poste të larta menaxheriale. Kandidatët e pakënaqur me vlerësimin e Panelit intervistues shfrytëzuan të gjitha rrugët dhe mundësitë ligjore për ta kundërshtuar këtë vlerësim por se të gjithë morën përgjigje refuzuese, me përjashtim të një kandidati të cilit i ka mbetur edhe një mundësi; t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, deri në fund të prillit 2023. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në asnjë mënyrë nuk ka dhënë shenja se do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror duke u arsyetuar në mandatin kushtetues. Në ndërkohë ishte një iniciativë – përpjekje që të ndryshohet Ligji për KPK –në dhe të krijohen kushte të reja që të zgjidhet një Kryeprokuror tjetër, sipas ligjit që do të miratohej e që, në plotëni u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pa asnjë dyshim është menduar që Kryeprokurori i ri të zgjidhet sipas parimit: “ na iku Lumezi,  ta zgjedhim Elezin…“ Tash, pasi u shterrën të gjitha mundësitë dhe afatet, edhe shoqëria civile kërkoi nga presidentja Osmani që ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror sikur që këtë e kërkoi edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. Zyra e Presidentes këtë kërkesë të KPK –ë e konsideroi si një ultimatum dhe dha sqarime ligjore pse nuk ka marrë një vendim për dekretim e që edhe për KMDLNj –ë, ky sqarim ka baza ligjore, deri në fund të muajit prill 2023 pas së cilës krijohen kushtet që lënda të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, nëse ankuesi i deritashëm nuk e shfrytëzon edhe një mundësi të fundit që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e që mund ta bëjë deri më 31 prill 2023. Nëse i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, në afatin e lejuar, atëherë këta që nuk duan ta dekretojnë Blerim Isufajn si Kryeprokuror do të fitojnë kohë për ta shtyrë dekretimin edhe për një kohë sa ta dërgojnë përsëri për votim Ligjin për KPK –në. Po është shumë e qartë se me të gjitha mjetet e mundshme po bëhen përpjekje të pengohet dekretimi i Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit ndonëse ishte vlerësuar si  më i miri dhe më i përgatituri profesionalisht për këtë post. Ndërkaq, sa i përket vërejtjeve të britanikëve, penguesit e dekretimit po përdorin standarde të dyfishta; kur britanikët kundërshtuan shumë vendime për zgjedhje dhe emërime politike në poste të larta menaxheriale, u shpërfillën ndërsa tani, kur kanë interes thirren në vlerësim të britanikëve!

Veton Berisha, menjëherë pasi u konstitua Kuvendi i Kosovës e kundërshtoi një deputet të minoriteteve i cili edhe ishte përcaktues për votimin e Vjosa Osmanit, presidente e Kosovës. Ishte edhe një kundërshtim tjetër dhe lëndën e kundërshtimit e dërguan në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar interpertim nga kjo Gjykatë. Rrjedhimisht kërkohej që këta dy deputetë të minoriteteve të shpallen ilegalë dhe të zëvendësohen me deputetë që e kishin legjitimitetin e votuesve të këtyre komuniteteve pakicë. Gjykata Kushtetuese e vonoi thuaja dy vite trajtimin e kësaj lënde në ndërkohë që në opinion qarkullonte një lajm se Gjykata Kushtetuese, pa u bërë publik asnjë vendim, ka vendosur në favor të deputetit Berisha e që interpretohej si mundësi që të shkarkohej presidentja sepse ishte votuar (pa këta dy deputetë që eventualisht do të shpalleshin ilegalë) pa kurorum të paraparë dhe me vota të pavlefshme. Kishte shumë përplasje dhe shumë interpretime, varësisht nga këndi i interesit që e mbronin dhe vetëm pritej bërja publike e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të hequr mjegullën e ngritur. Tash, Gjykata Kushtetuese, ende nuk ka dalur me një vendim dhe situata disi është qetësuar. Sipas informatave që i ka KMDLNj –ë, ende të pakonfirmuara, Gjykata Kushtetuese, për rastin në fjalë mund të merr një vendim oportunist sipas parimit; “ ujku i ngopur dhe të gjitha delet të ruajtura .. “ e që nënkupton që ky vendim nuk do të rrezikojë as qeverinë e Kosovës e as postin e presidentes Vjosa Osmani. Ka gjasa që deputeti Berisha të kompensohet materialisht por se ky vendim nuk do të prodhojë efekte dhe pasoja juridike për askend. Duhet ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj të shohim nëse ky kompensim do të jetë në përputhje me ligjin aq më parë që kemi të bëjmë me një mandat të deputetit që është ende aktiv dhe se nuk ka përfunduar. Këto tre segmente thellësisht ndërlidhen me të drejtat e njeriut , e drejta e votuesit të votojë  sipas vullnetit të tij dhe në rrethana të përshtatshme, e drejta e Kryeprokurorit të ushtrojë detyrën dhe postin që e ka fituar në bazë të vlerësimit profesional dhe e drejta e deputetit që të ushtrojë mandatin në përputhje me vullnetin e votuesit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here