Reagim me shkas drejtuar institucionit të Presidentes rreth ndarjes së dekoratave

0
96

Zonja Presidente,

Sot, kur po e përfundoni mandatin tuaj, ndjej nevojën të them edhe unë disa fjalë publikisht, në shenjë lamtumire — si vajza e një doajeni të gazetarisë, i cili gjithë jetën ia ka kushtuar profesionit në kohë të lehta dhe të vështira. Një njeri që ka raportuar nga vatrat e luftës, nga cepa ndërtesash dhe nga rrugë ku plumbat i kanë kaluar pranë trupit, vetëm për të kryer me ndershmëri misionin e tij informues.

Pak para përfundimit të mandatit si e para e shtetit, Ju ndatë dekorata për individë që, sipas vlerësimit tuaj, kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë gjurmë në fusha të ndryshme. Kjo është një traditë e njohur institucionale dhe, në parim, e mirëpritur. Megjithatë, për çudi, në mesin e rreth 200 të dekoruarve — me ose pa meritë për disa prej tyre — mungojnë figura që realisht kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm ndër dekada.

Të qartësohemi: nuk jam kundër asnjë individi të përfshirë në atë listë. Përkundrazi, i uroj dhe i duartrokas të gjithë ata që e meritojnë vërtet një vlerësim të tillë. Por, si gazetare dhe si qytetare, ndjej obligim moral të ngre zërin kur përballem me atë që e konsideroj padrejtësi.

Kolegja ime, Drita Loshi, e ka ngritur tashmë këtë shqetësim lidhur me mos-përfshirjen e gazetarit sportiv dhe ish-redaktorit në Radio Kosova, Azem Brovina. Ndërsa unë, me një përvojë gati 30-vjeçare në gazetari, nuk mund të mos e përmend një emër tjetër — atë të babait tim, gazetarit me përvojë gati pesë dekadash, publicistit dhe krijuesit, Fahri Musliu.

Ai, në të vërtetë, nuk ka nevojë për medalje dhe jam e bindur se ndoshta as nuk do ta pranonte një të tillë. Vlerësimin më të madh e ka marrë ndër vite nga publiku — nga dëgjuesit, lexuesit dhe shikuesit. Megjithatë, kjo nuk e zbeh faktin se ai e ka merituar të jetë në mesin e figurave të shquara që kanë kontribuar për vendin dhe kombin, nëse vërtet flasim për kritere meritokracie.

Kontributi i tij si korrespondent nga Beogradi, veçanërisht gjatë periudhës së luftës dhe bombardimeve të NATO-s, mbetet një nga dëshmitë më të forta të gazetarisë së guximshme. Ai ka raportuar nga “gryka e ujkut”, në rrethana të jashtëzakonshme rreziku, vetëm për të informuar drejt dhe pa kompromis popullatën shqiptare. Zëri i tij ka depërtuar përtej kufijve, duke arritur deri në Shtetet e Bashkuara përmes valëve të “Zërit të Amerikës”.

Është paradoksale që një kontribut i tillë të mbetet i pavlerësuar pikërisht në vendin ku është dhënë. Nëse për arsye të ndryshme nuk keni pasur njohuri të mjaftueshme për figurën e tij, atëherë përgjegjësia bie edhe mbi stafin tuaj, mbi komisionet përkatëse vlerësuese — nëse kanë ekzistuar — si dhe mbi burimet institucionale që do të duhej t’ju furnizonin me informacione të sakta dhe të plota.

Biografia e tij është e dokumentuar dhe publike. Veprat e tij përbëjnë dëshmi të drejtpërdrejta të periudhave më të vështira që ka kaluar vendi ynë — nga lufta dhe paslufta, te zhvillimet politike dhe shoqërore në vend dhe rajon. Dhe megjithatë, një figurë e tillë mbeti jashtë një liste që synon të nderojë pikërisht kontributin.

Institucioni më i lartë shtetëror, që Ju e keni drejtuar deri më sot, zonja Osmani, në këtë rast ka lënë në hije një emër të respektuar — një profesionist të palodhur, një njeri me integritet të lartë moral dhe njerëzor, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në gazetarinë shqiptare.

Fahri Musliu nuk ka qenë kurrë servil i pushtetit dhe nuk i ka shërbyer interesave të ngushta. Ai e ka ruajtur me fanatizëm dinjitetin dhe pavarësinë e tij profesionale — vlera që sot, për fat të keq, nuk janë gjithmonë standard për të gjithë.

Megjithatë, zonja ish-Presidente, pavarësisht nëse vlerësohemi apo jo nga institucionet, ne si familje do të vazhdojmë ta respektojmë shtetin dhe institucionet e tij. Sepse për ne, integriteti nuk varet nga një dekoratë, por nga mënyra se si jeton dhe vepron.

Koha do të bëjë gjithmonë dallimin.

Shkruan: Valbona MUSLIU – Gazetare

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here