Rashica flet pas paraqitjes spektakolare, e ka një dedikim special

0
29

Milot Rashica e ka bërë mbrëmë një paraqitje spektakolare te Besiktasi.

Ylli kosovar i realizoi dy gola dhe e dhuroi një asistim në fitoren me rezultat 4:1 ndaj Athletic Bilbaos në Ligën e Evropës, shkruan “Gazeta Express”.

Dhe, pas ndeshjes anësori ofanziv e shprehu gëzimin për kontributin e tij, duke insistuar se ekipi nga Stambolli duhet të vazhdojë kështu për ta pasur një sezon pozitiv e të suksesshëm.

“Dëshiroj t’i nis fjalët e mia me pikëllimin që ndjej për ata që i humbën të dashurit e tyre në zjarrin në Bolu. Gjithashtu uroj shërim të shpejtë të të lënduarve”, ishte dedikimi special i vushtrriasit.

“Muajt ​​e fundit kanë qenë shumë të vështirë për të gjithë ne, kishim nevojë për besim dhe vetëbesim. Këtë na e dha trajneri që në ditën e parë. Sot treguam se nëse jemi të gjithë bashkë, si një ekip i tërë, me tifozët tanë dhe si komunitet, mund të bëjmë gjëra të mira. Kemi luajtur futboll të mirë edhe sot. Duam të vazhdojmë kështu”, vazhdoi ish-futbollisti i Vitesses, Werder Bremenit, Norwich Cityt e Galatasarayt.

Duke iu referuar interesimit të tifozëve bardhezi, përfaqësuesi kosovar i mbylli fjalët e tij duke thënë: “Tifozët tanë ishin të mrekullueshëm. Na dhanë mbështetje të madhe. Ne po mundohemi ta bëjmë më të mirën. Do të ecim përpara duke i marrë gjërat pozitive nga sot dhe ta vazhdojmë rrugën”, përfundoi Rashica.

Besiktasi e regjistroi fitoren e tretë mbrëmë, ndërsa i ka edhe katër humbje, duke e parë veten në vendin e 18-të në fazën e ligës. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here