Në prag të debutimit të tij me Monterreyn në Botërorin e Klubeve, në program nesër ndaj Interit, Sergio Ramos u pyet rreth asaj se kush e meriton ta fitojë Topin e Artë sivjet.
Dhe, mbrojtësi spanjoll i befasoi të gjithë me përgjigjen e tij, shkruan “Gazeta Express”.
Ish-futbollisti i Sevillës, Real Madridit dhe Paris Saint-Germainit nuk do t’i votonte as Lamine Yamalin e Ousmane Dembelen, që konsiderohen si favoritë, por ish-bashkëlojtarin e tij tek PSG-ja, Kylian Mbappe!
“Nëse do të varej nga unë, Kylian deri tash do t’i kishte 4-5 Topa të Artë në shtëpi”, deklaroi me një buzëqeshje në konferencë për shtyp legjenda e futbollit spanjoll.
“Nuk e them vetëm shkaku i miqësisë, por pasi ka bërë gjëra të jashtëzakonshme. Ka shënuar shumë gola, e ka fituar Këpucën e Artë dhe, edhe pse Real Madridi nuk fitoi trofe të rëndësishëm në sezonin e fundit, ai e bëri një sezon të hatashëm”, vazhdoi Ramos.
Ramos më pas evidentoi se Topi i Artë mbetet një çmim individual, përkundër kritereve që shpesh janë pak të qarta.
“Ju nuk mund ta dini kurrë se çka çon peshë në të vërtetë: titujt, statistikat, karizmi… Por, për mua Mbappe është në nivelin e të mëdhenjve. E ka talentin dhe mentalitetin për ta dominuar futbollin për vite të tëra”, nënvizoi tutje 39 vjeçari.