Gjatë vizitës së tij në fabrikën e prodhimit të miellit, në Kosovë, kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se Shqipëria do t’i heq të gjitha tarifat doganore me Kosovën, duke nisur nga produktet bujqësore.
”Ne kemi bërë një plan që do t’i heqim krejt tarifat doganore me Kosovën, do t’i heqim plotësisht. Dëshirën e kemi që që të bëhet bilaterale me Qeverinë e Kosovës, por ne do ta bëjmë, ata kanë kërkuar më shumë kohë për ta analizuar. Kështu ne do t’i heqim tarifat për gjithë çfarëdo vijë nga Kosova, përjashto atë të skanimit se ajo është e trashëguar dhe s’lëviz por në gjithë pjesën tjetër më nuk do të ketë më tarifa për të gjithë ata që do eksportojnë nga Kosova në Shqipëri”, ka thënë Rama.
“Anasjelltas duhet ta bëjë qeveria e Ksoovës por nëse qeveria e Kosovës do më shumë kohë për ta studiuar, ne do ta bëjmë gjithësesi. Sepse ne nuk duam që ta kemi pa tarifa për Ballkanin e Hapur e mos ta kemi me Kosovën, është e pakuptimtë”, ka deklaruar ai.
Nesër, 20 qershor, në Prishtinë do të mbahet mbledhja e dy qeverive Kosovë – Shqipëri.
Tradita e mbledhjeve të përbashkëta që nisi nga vitin 2014, do të ul sërish dy kryeministrat Rama e Kurti dhe ministrant e tyre për të nënshkruar të tjera marrëveshje në funksion të lehtësirave proceduriale dhe shkëmbimeve ekonomike Shqipëri-Kosovë.
Takimi në Prishtinë vjen në një muaj ku qëndrimet e liderëve në Tiranë dhe Prishtinë nuk kanë qenë shumë miqësore mes tyre.
Nga Ohri ku u mbajt sesioni i radhës i nismës së Ballkanit të Hapur, Rama deklaroi se respektonte qëndrimet e një shteti Sovran si Kosova, por i kujtoi liderëve kosovarë historinë e marrëdhënies SHBA-Japoni, për t’i kërkuar të mos e refuzojnë më nismën për shkak të pjesëmarrjes së Serbisë.
Diferencat e theksuara në qëndrime u shfaqën edhe pak ditë më parë në Greqi në Samitin e SEECP, ku Rama e presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ka shkëmbyer jo pak replika, qëndruan larg njëri-tjetrit. /abcnews.al/