Rama: Serbia dhe Kosova, në pikën më të afërt për arritjen e një marrëveshjeje historike

0
149

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur së fundmi për situatën në veri të vendit me ç’rast ka potencuar se Serbia dhe Kosova janë tanimë në pikën më të afërt për arritjen e një marrëveshjeje.

Kryeministri shqiptar në një intervistë për BBC News ka thënë se situata është provokuar së pari nga serbët, që kanë braktisur institucionet e pastaj nga autoritetet e Kosovës “që këmbëngulën për vendosjen e këtyre kryetarëve në ndërtesa bosh”.

“Ka një situatë shqetësuese në veri të Kosovës, po nuk do ta vija shumë theksin te rreziku. Le të themi se kjo situatë është provokuar së pari nga serbët, të cilët braktisën institucionet, duke krijuar praktikisht një vakum dhe, së dyti, nga autoritetet e Kosovës, që këmbëngulën për vendosjen e këtyre kryetarëve në ndërtesa bosh, ku shumica e popullsisë është kryesisht serbe. Sa për ta sqaruar, zhvillimi i zgjedhjeve ishte gjë shumë e mirë, për të treguar se askush nuk mund të marrë peng procesin demokratik në Republikën e pavarur të Kosovës, por nuk ishte ide e mirë që, më pas, të këmbëngulej që këta katër kryetarë të hynin në ndërtesat bosh nën mbrojtjen e policisë, që solli ndërhyrjen e KFOR-it dhe plagosjen e padrejtë të ushtarëve të KFOR-it”, ka thënë ai.

Rama është shprehur se Kosova dhe Serbia falë Kurtit dhe Vuçiçit janë tanimë në pikën më të afërt për arritjen e një “marrëveshjeje historike”.

“Mendoj se tabloja e gjerë është shumë më optimiste, pasi Serbia dhe Kosova, falë Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiçit janë tanimë në pikën më të afërt për arritjen e një marrëveshjeje historike. Besoj po ashtu se fakti që marrëveshja është kaq pranë, mbështetur në të ashtuquajturin propozim franko-gjerman, me rezultat përfundimtar njohjen e ndërsjellë, i ka dëshpëruar njëfarësoj të dy. Është njësoj si një çift në dyert e kishës përpara se të martohen, që i vijnë dyshime, por mendoj se do të jetë…”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se udhëheqësit në Komunitetin Politik Europian në Moldavi, kishin bindje të patundur, sidomos presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz se kryeministri i Kosovës dhe presidenti serb duhet të ulen njëherë e mirë, të arrijnë marrëveshjen dhe ta zbatojnë atë.

Rama ka dhënë përgjigje edhe lidhur me agresionin nga pala serbe mbi ushtarët e NATO-s.

Ai ka thënë se është koha për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka shtuar se Kosova duhet t’i japë Serbisë, Asociacionin dhe të drejtën e kishës ortodokse serbe që të ketë aktivitetin e saj brenda Kosovës dhe që Serbia të heqë dorë dhe të kuptojë që Kosova ka ikur dhe të pranojë njohjen e ndërsjellë.

“Dëgjoni, po, është e vërtetë dhe nuk ka sesi të mohohet, por, nga ana tjetër, është po ashtu e vërtetë që dërgimi i këtyre kryetarëve të komunave kundër këshillës së mirë të gjithkujt – dhe kur them gjithkujt, e kam fjalën për miqtë dhe partnerët e mëdhenj të Kosovës, pa të cilët Kosova nuk do të ishte ajo që është sot – ishte një hap më i tepërt seç duhej. Thënë kjo, mendoj se Serbia ka reshtur së qeni rrezik për Kosovën që prej vitit 1999, e ka humbur njëherë e përgjithmonë Kosovën që në vitin 1999 dhe tani është koha për paqe. Është koha për normalizim. Është koha për t’u ulur. Është koha për të pranuar dhe për t’i dhënë Serbisë atë që ka qenë më parë në marrëveshje, që do të thotë, asociacionin e komunave me popullsi serbe dhe të drejtën e kishës ortodokse serbe që të ketë aktivitetin e saj brenda Kosovës dhe, nga ana tjetër, Serbia duhet të heqë dorë dhe të kuptojë që Kosova ka ikur dhe të pranojë njohjen e ndërsjellë.”, ka thënë Rama.

Ndryshe, protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29 maj) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat policore nga ndërtesat komunale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here