Shqipëria shënon një tjetër moment të rëndësishëm në procesin e integrimit në Bashkimin e Evropian.
Ditën e sotme, do të çelet grupkapitulli i fundit i negociatave, në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri- BE, që do të mbahet në Bruksel, i cili shënon hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave në një kohë prej 12 muajsh.
Pas përfundimit të punimeve, kryeministri shqiptar Edi Rama, komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Marie Bjerre, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
-Grupkapitulli V përfshin pesë kapituj thelbësorë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, me ndikimin më të drejtpërdrejtë tek prodhimi, konkurrueshmëria dhe zhvillimi i balancuar i territorit:
“Bujqësia dhe Zhvillimi Rural” (kapitulli 11);
“Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitare”, (kapitulli 12);
“Peshkimi” (kapitulli 13);
“Politika rajonale dhe koordinimi i instrumentave strukturore” (kapitulli 22);
“Dispozitat Financiare dhe Buxhetore (kapitulli 33).
Përmes këtij grupkapitulli, Shqipëria përfiton lidhur me modernizimin e bujqësisë, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe digjitalizimin e zinxhirit ushqimor. Një vend të veçantë zë forcimi i mekanizmave të kontrollit të sigurisë ushqimore dhe përafrimi me standardet e BE-së, ndërsa sektori i peshkimit dhe akuakulturës synon të përfitojë nga rregullat dhe programet europiane për menaxhim të qëndrueshëm.
Në komponentin e kohezionit, Shqipëria adreson rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e fondeve të BE-së dhe përgatitjen për pjesëmarrje efektive në politikat e zhvillimit rajonal.
Sipas A2CNN, ndërkohë, kapitulli për dispozitat financiare dhe buxhetore përfshin përputhjen me praktikat europiane për transparencë, planifikim buxhetor dhe administrim të fondeve publike.
Hapja e Grup-Kapitullit V përfaqëson një hap vendimtar drejt afrimit përfundimtar të Shqipërisë me Bashkimin Europian, duke krijuar bazën për reforma më të thelluara në sektorët që mbështesin ekonominë, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.














































