Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Londër ka pohuar se një Ballkan i bashkuar si në ekonomi edhe në dënimin e agresionit rus në Ukrainë, është mjaft i rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen.
Ai tha se në të kundërtën rajoni i kthehet të shkuarës, ku “era e luftës dhe gjakut është ende e freskët mes Kosovës dhe Serbisë”.
Ai po ashtu ka folur lidhur me procesin e “Ballkanit të Hapur”, duke theksuar vështirësinë e negocimit me Serbinë për shkak të ngërçit me Kosovën.
“Është pjesë e një transformimi të tërë që po përjeton Ballkani. Shqiptarët janë në pozitën më të mirë që kanë qenë ndonjëherë. Marrëdhëniet në Ballkan s’kanë qenë ndonjëherë më mirë. Kemi një elefant në dhomë ne çdo marrëveshje me Serbët, për shkak të Kosovës. Dhe për këtë ne duhet ta mbajmë Serbinë në anën tonë, sepse mund të na kthejë në të shkuarën. Të sigurohemi që bashkimi në Ballkan kundër agresionit rus në Ukrainë të mos shpërbëhet, pasi nëse kjo ndodh mund të na kthejë shumë shpejt në kohët e shkuara”, tha Rama.
Ndërsa ka folur dhe lidhur me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për të cilin tha se është më i miri deri më sot, ku palët marrin atë që ju takon dhe është një njohje “de facto” e Kosovës nga Serbia.
“Mendoj se dokumenti në tryezë është më i miri ku të dyja palët mund të marrin atë që ju takon. Të dyja palët janë shumë pranë luftës dhe era e gjakut është ende e fortë deri në atë pikë sa nuk mund të hedhin hapat e fundme. Kjo është rruga e duhur dhe njohje “de facto” e të drejtës së Kosovës për të jetuar dhe vendosur më vete. Është njohje “de facto” e Serbisë ku me Kosovën duhet të ketë marrëdhënie normale. E vetmja pikë është që ato të zbatohen, pasi ballkanik është një vend me mjaft gracka. Por le të shohim”, tha Rama.