Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se lirimi i tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe rihap rrugën e shtensionimit të procesit të dialogut. Ai shkroi në Twitter të hënën se lirimi i jep fund dhe heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve “që s’kanë kryer asnjë krim”.
Sipas Ramës, me forcën e arsyes duhet të nisë menjëherë shtensinimi dhe të zgjidhen nyjat e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë.
“Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë. Sapo kemi mbërritur në Bruksel, ku pas pak do të takohem me Presidentin e Këshillit Evropian, mikun e çmuar të Shqipërisë dhe rajonit tonë, Charles Michel. Do t’i përcjell mikut tonë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit”, shkroi Rama.