Gjatë një bisede në kuadër të Samitit të NATO-s në Vilnius të Lituanisë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për çështjen e sigurisë së rajonit dhe situatën e krijuar në veri të Kosovës.
Rama thotë se siguria e rajonit nuk është problem aq i vogël sa të mos ketë fokusin ndërkombëtar.
“Problemi i Ballkanit Perëndimor sot lidhët me sigurinë. Ndoshta nuk është problem aq i madh sa i Ukrainës, por nuk është i vogël”, ka thënë Rama.
Kryeministri shqiptar thotë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë politikisht ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, por në terren, thotë ai, ekziston edhe një palë e tretë, e që janë bandat kriminale që operojnë në veri të Kosovës.
“Derisa lehtësimi i dialogut nga BE-ja bëhet me palët, me Prishtinën dhe Beogradin, është zgjuar një palë e tretë që janë grupet ekstreme në veriun e Kosovës, që ndër vite ka qenë një vend parajse për krimin”, ka thënë Rama.
Ai përveç dialogut politik të udhëhequr nga BE-ja, pret “një qëndrim më të fortë të NATO-s përmes KFOR-it”, ka thënë Rama. /Express/