Në Tiranë të Shqipërisë ka nisur mbërritja e liderëve nga Evropa juglindore në Samitin për Ukrainën, që po organizohet me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Pritja e liderëve po bëhet nga Rama dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që po merr pjesë në samit, tha se në të do të flasë për hapat konkretë që po ndërmerrë shteti për të mbështetur Ukrainën.
Ajo u pyet se nëse do të kërkojë nga presidenti Zelensky që të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Këto janë çështje bilaterale. Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në gjendje të jashtëzakonshme, në gjendje lufte, duke luftuar për liri”, tha Osmani.
“Jam e bindur që ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës”, shtoi ajo.