Rama: Balta e propagandës kundër UÇK-së është ngjitur deri në raportet e “Human Rights Watch”

0
200

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpërndarë videon e gazetarit Berat Buzhala, i cili ka komentuar përplasjen e ashpër të avokatit Ben Emmersonit dhe dëshmitarit Fred Abrahamsit në seancën e djeshme në Hagë.

Kryeministri shqiptar ka thënë se kjo video tregon se balta e propagandës kundër UÇK-së është ngjitur deri në raportin e një organizate prestigjioze si “Human Rights Watch”.

Ai ka vazhduar me kritikat e ashpra ndaj Gjykatës Speciale.

Në profilin e tij në “Facebook”, Rama ka shkruar se gjykata speciale ka vetëm misionin e saj të pamundur për të provuar se Hashim Thaçi dhe të tjerët janë kriminelë lufte.

“MOS E HUMBNI KËTË video nëse jeni të interesuar të shihni e të dëgjoni se si balta e propagandës kundër UÇK-së ka ngjitur deri në raportin e një organizate prestigjoze si Human Rights Watch”, ka shkruar ai.

Rama ka bërë me dije se ky gjyq po kthehet në një barrë në ndërgjegjen e botës demokratike.

“Ky është një moment i gjyqit kundër Presidentit Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së në Hagë, ku ndjehesh realisht keq për ideatorët e kësaj trupe speciale, e cila deri më tash special ka vetëm misionin e saj të pamundur të prokurorëve të saj, për të provuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë kriminelë lufte. Ky gjyq po kthehet në një barrë në ndërgjegjen e botës demokratike”, ka shkruar Rama.

Buzhala ka komentuar debatin në Gjykatën Speciale në mes Ben Emmersonit, avokat i Kadri Veselit, dhe Fred Abrahamsit, që shkroi një raport për organizatën Human Rights Watch.

Buzhala ka vlerësuar se java nuk ka filluar mirë për Prokurorinë e Specializuar në Hagë. Sipas Buzhalës, Emmerson e “përdhunoi moralisht” Abrahamsin.

“Në jetën teme, nuk kam parë poshtërim ma me klasë se ai që dje Emmerson ia ka bërë Abrahamsit. Kam ndje veç neveri për Abrahamsin, kam ndje veç admirim për Emmersonin” – thotë Buzhala në videon e tij.

Gjatë ditës se djeshme, anëtari i Organizatës Human Right Watch, Frederich Abrahams, ka dëshmuar në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Ai është ballafaquar me një numër pyetjesh që ndërlidhen me raportet që i kishte ndërtuar sa ishte në Kosovë në kohën e luftës.

Në këto raporte shumë pasaktësi ka gjetur avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Këto pasaktësi që Emmerson i ka gjetur në disa prej raporteve, kanë shkaktuar një përplasje të ashpër në seancën e djeshme. Avokati britanik e ka përballur dëshmitarin me disa gjetje lidhur me trupa të pajetë të gjetur në Gllogjan. Pas pyetjeve të avokatit Emmerson, dëshmitari e pranoi gabimin, raporton Nacionale.

“Ju keni ricikluar propagandën serbe apo jo?”, e pyeti Emmerson. “Duhej të ishte shkruar ndryshe”, u përgjigj dëshmitari.

“Këto pretendime i morët nga pala serbe?”, pyeti sërish avokati britanik. “Po”, u përgjigj ai.

“Kur thoni vrasja e shtatorit të 1998-ës, a e kuptuat se në aktakuzë nuk ka vrasje në shtator”, e pyeti sërish Emmerson. “Është formuluar keq…!”, u përgjigj dëshmitari.

“Kur po flisni për vrasjen e shtatorit…s’ka pasur fare vrasje…a ishte tërësisht e gabuar…”, insistoi Emmerson.

“Na thatë se jepni mësime për studentët. Ju duhet të bëni dallimin mes provave dhe vlerësimit forenzik. I vetmi vlerësim i saktë është se janë gjetur trupa të pajetë në Gllogjan në fund të 1998-ës….”, deklaroi avokati i Kadri Veselit.

“Fjalia duhej të ishte shkruar ndryshe, për pretendime se janë vrarë nga UÇK… Unë mund të të flas për një rast tjetër, për një pretendim”, u përgjigj dëshmitari.

“Ju nuk keni bërë hetime sa i përket pretendimeve të autoriteteve serbe?”, e pyeti sërish avokati Emmerson.

“S’kemi bërë hetime në tërësi. E kam përmendur këtë, por nuk është reflektuar në mënyrë të saktë. Ne asnjëherë nuk e kemi prezantuar rastin e Gllogjanit në Liqenin e Radoniqit”, u përgjigj dëshmitari.

“Ju nuk keni shkuar në vendngjarja apo jo?”, ishte pyetja e radhës nga Emmerson.

“Ne shkuam në vendin e krimit. U përpoqëm që të shkonim në Liqen…Në atë pikë që shkuam ne trupat ishin larguar dhe po mbaheshin në një hotel në një morg të sajuar dhe ne nuk u lejua që të shkuam në hotel”, u përgjigj Abrahams.

Përplasja vazhdoi edhe në disa raste të tjera. Emmerson e ballafaqoi dëshmitarin lidhur me rastin e vrasjes së një gruaje të quajtur Sanije Ballaj. Avokati tha se për këtë rast kishte kërkuar hetim vetë komandanti Ramush Haradinaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here