QUINT-i dhe NATO dalin kundër hapjes së Urës së Ibrit, Kurti insiston

0
106

Ambasadorët e QUINT-it mbajtën sot një takim me kryeministrin Albin Kurti, ku u potencua se ata nuk përkrahin asnjë ndërrim të statusit të Urës së Ibrit.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ishte i ‘prerë’ pas takimit, duke deklaruar vendet e QUINT-it bashkë me NATO-n nuk e mbështetën çështjen e hapjes së Urës së Ibrit

“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë… u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës së Mitrovicës aktualisht”, tha Hovenier.

Sidoqoftë, kryeministri Kurti nuk doli kundër këtyre qëndrimeve të ndërkombëtarëve, duke thënë se ura duhet të hapet sepse nuk është kundër askujt dhe se liria e lëvizjes nuk rrezikon paqen e sigurinë.

Në njoftimin e Qeverisë, thuhet se Kurti e ka paraqitur planin për hapjen e urës, që sipas tyre parasheh testime, diskutime e fushatë – duke shtuar se konsultimet dhe koordinimi do të vazhdojnë.

“Ky takim sot u zhvillua pikërisht 8 vjet pas diskutimeve që ishin mbajtur me 2 gusht 2016 në Bruksel në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës në kuadër të dialogut në Bruksel, e që u pasua pastaj me Planin e Bashkimit Evropian për hapjen e urës së Mitrovicës për këmbësorë dhe automjete në dy drejtime. Kryeministri Kurti paraqiti para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër. Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës.

Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “riviitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi.

Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë.

Qeveria është edhe për lëvizje të lirë edhe për integrim të qytetarëve.”

Edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi në mes të korrikut se Qeveria synon ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, kishte deklaruar se çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për trafik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here