Dega e LDK-së në Prizren ka hedhur kritika në adresë të pushtetit lokal në Prizren të udhëhequr nga PDK-ja dhe Shaqir Totaj.
LDK-ja ka vlerësuar se dy vite të kësaj qeverisje janë përcjellur me abuzime, punësime partiake, korrupsion dhe keq-shpenzim të buxhetit komunal
“Viti i dytë i qeverisë së Shaqir Totaj, po përmbyllet me veprime të shumta abuzive, afera korruptive, shkelje të ligjeve dhe procedurave, punësime mbi baza nepotike dhe partiake, kompromentimit të konkurseve në arsim dhe shëndetësi, mungesë të kapaciteteve profesionale, cilësi e dobët e investimeve kapitale, paaftësi në shpenzimin e buxhetit që rezultoj me deficite financiare disa miliona eurove etj.
Premtimet elektorale për një diskurs tjetër qeverisës, shumë shpejtë dolën të jenë premtime boshe dhe mashtruese. Kultura kleptokratike që e karakterizon PDK-në në Prizren, u dëshmua që nuk ka pësuar asnjë ndryshim nga e kaluara, përkundrazi qeverisja e Shaqir Totajt në secilin ditë po e vërteton këtë gjë.
LDK në Prizren, fuqishëm shpreh shqetësim për këtë qasje dhe këtë logjikë keqëqeverisëse. Në vazhdim po i listojmë disa nga qështjet që i vërtetojnë pretendimet tona.
Mënyra e keq planifikimit dhe keq shpenzimit të parasë së qytetarëve të Komunës së Prizrenit solli teprica buxhtore shumë milionëshe. Teprica (deficiti) buxhetore prej 8 milion eurove vitin e kaluar, dhe së paku 7 milion euro për këtë vit, do të thotë humbje e projekteve kapitale në vlerë 15 milion euro për qytetarët e Komunës së Prizrenit.
Ndërtime pa leje (ilegale) të objekteve nga vetë Komuna e Prizrenit, u bënë praktikë e përditshme. Për ta ndalur këtë qasje të kundërligjshme, LDK në Prizren u detyrua të deponojë në Prokurorinë themelore, tre kallëzime penale ndaj tre drejtorëve të drejtorive komunale.
Derisa shumë të rinjve me kualifikime të larta, u vihen pengesa të ndryshme për punësim vetëm pse nuk janë pjesë e partive në pushtet, kryetari Totaj u kujdes, që qysh në vitin e parë të mandatit ta punësoj djalin e tij në kompani publike.
Politizimi i skajshëm i arsimit, tashmë është një sekret publik. Kompromentimi i procesit të zgjedhjes së drejtorëve të shkollave, u vërtetua edhe nga publikimi i audio-incizimeve mediale. Dështim i skajshëm me konkurse si hapja me vonesë e tyre, anulimet, rihapjet, neglizhimet, honoraret, përzgjedhjet e drejtorëve jo profesionistë shkollash, menaxherë të pa dëshmuar e militantë partiakë të subjekteve të koalicionit qeverisës, kanë dëmtuar rëndë cilësinë dhe imazhin arsimit.
Dështimi i procesit të digjitalizimit të shkollave, është goditja tjetër që i është dhënë procesit të mësimdhënies dhe mësimxënies në qytetin e Prizrenit.
Dështime të mëdha në menaxhim të sektorit të shëndetësisë. Shërbime jo cilësore, mugesa të mëdha të paisjeve medicinale dhe mos ofrim të shërbimeve në disa fshatra të komunës së Prizrenit. Fatkeqësisht politizimit dhe punësimeve partiake nuk i shpëtoj as ky sektor vital për jetën e qytetarëve. Kjo dëshmohet më së miri nga pezullimi i drejtorit dhe tre zyrtarëve të QKMF-së dhe punësimeve partiake që ndodhen aty. Histori në vete përbën konkursi për stomatologë, i shpallur gati dy vjet më parë, por që mbetet enigmë, pasi ende edhe sot e kësaj dite nuk janë shpallur fituesit (sigurisht kjo vjen nga pazaret e partnerëve të koalicionit).
Shpërblimi i militantëve përmes ndarjes së subvencioneve pa respektuar kriteret ligjore dhe profesionale, si nga zyra e Kryetarit Totaj po ashtu edhe nga drejtoritë vartëse, që mbulojnë fushën e kulturës, rinisë e sportit, tashmë janë bërë praktikë e shëmtuar e abuzimit me taksat e qytetarëve të komunës sonë.
Shumë kontrata për shërbime, pa specifika të qarta dhe me operatorë ekonomik që nuk dëshmojnë përvojë dhe ekspertizë profesionale, nxisin dyshime të bazuara për kritere favorizuese dhe me fitues të parapërcaktuar nga z.Totaj dhe oborrtarët e tij.
Vonesat e realizmit të projekteve kapitale, si rrugë, kanalizime, ujësjellësa dhe punime tjera, ka shkaktuar kaos në shumë lagje të qytetit. Ndryshimi i paramasave nga kontrata në ekzekutim të punimeve dhe cilësia e dobët e punimeve, duke u dëmtuar rrugët vetëm pas 2 muajsh nga shtrimi i tyre, nxjerrë domosdoshmërinë për hetime penale në shumë prej projekteve të përcaktuara si investime kapitale.
Këto dy vite, dëshmuan edhe për dështime në realizimin e premtimeve eletorale. Shumë nga projektet e promovuara para dy vitesh, sot e kësaj dite as nuk kanë filluar së realizuari, as nuk duken fare në horizont për vitet në vjim.
Ndërtimi parkut të ri mbrapa “Shtëpisë së Bardhë” me 690 vendparkingje të reja dhe “Nënkalimi nga ish BVI deri në Bazhdërhane” si dhe funksionalizimi i zonës ekonomike kanë mbetur vetëm dhe vetëm premtime boshe.
Pishina Olimpike, një ndër projektet e filluar shumë vite më parë, ka mbetur një projekt i pashpresë dhe i harruar edhe nga qeveria Totaj.
Prandaj të gjitha këto nxjerrin përfundimin se qeverisja aktuale komunale, nuk ofron zhvillim dhe nuk është në shërbim të qytetarëve të Prizrenit. Z.Totaj dhe kabineti i tij që nga dita e parë kanë dëshmuar që fokusi i tyre është që t’i shërbejnë individëve dhe grupeve të interesit që janë të afërt me partitë e koalicionit qeverisës.
Këtë dënim nuk e meritojnë qytetetarët, këtë poshtërim nuk e meriton Prizreni!
LDK dega në Prizren, zotohet se do monitorojë nga afër sjelljet dhe veprimet e qeverisjes lokale, do ofrojë zgjidhjet alternative për problemet e qytetareve, do të reagojë dhe denoncojë shkeljet, duke qenë një zë i fuqishëm në mbrojetjen e interesave të qytetarëve të Komunës sonë.
Transparenca në qeverisje, kujdesi në shpenzimet e parave të qytetarëve si dhe projektet zhvillimore duhet të jenë udhërrefyes i vetëm për qytetin dhe qytetarët tanë.
Prizreni meriton Zhvillim, Dinjitet dhe Prosperitet!”, thuhet në komunikatën dërguar mediave nga dega e LDK-së në Prizren./04 Online