Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka marrë vendim që të vendosë masa mbrojtëse për produktet e derivateve të naftës.
Sipas këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar me shumicë është dy centë për litër, kurse çmimi maksimal i lejuar i shitjes me pakicë 12 centë për litër naftë.
Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se “MINT-i ka monitoruar tregun e produkteve të naftës dhe çmimet e furnizimit nga importi. Në bazë të raportit të Inspektoratit të Tregut, është evidentuar mospërputhje e çmimeve në Kosovë në krahasim me lëvizjet në tregjet botërore”. “Kjo përbën shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse”, thuhet në vendim.
Ky vendim do të jetë në fuqi për 30 ditë.
Aktualisht, në tregun e Kosovës, një litër naftë kushton deri në 1.80 euro, kurse një litër benzinë deri në 1.50 euro.
Qeveria e Kosovës, në muajin qershor, kishte marrë vendim për caktimin e çmimit tavan vetëm për derivate të naftës.
Tavani i çmimit të tyre ishte përcaktuar çdo 24 orë.
Naftëtarët në Kosovë më 9 qershor, i kishin kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ruhet ekonomia e tregut të lirë dhe që minimalisht marzha (çmimi maksimal) të jetë: për shitje me shumicë 3 për qind dhe për shitje me pakicë 12 për qind.
Edhe në muajin mars, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë. Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare ishte deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë ishte në 6 për qind.
Çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.