Qeveria rikonfirmon zotimin për FSK-në në veri. Rutte: KFOR-i të njoftohet edhe për dislokimin e Policisë

0
88

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Kosova do ta respektojë zotimin e vitit 2013 për dërgimin e FSK-së në veri vetëm me leje të posaçme nga KFOR-i, edhe pse ka shtuar se nuk pajtohet me këtë kufizim. Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Mark Rutte, ka thënë të hënën, gjatë vizitës në Prishtinë, se KFOR-it duhet që së paku të njoftohet edhe në rastet kur Policia e Kosovës dislokohet afër kufirit me Serbinë. Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar nëse është dhënë një zotim i tillë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka rikonfirmuar qëndrimin e shpalosur nga sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Mark Rutte, lidhur me dërgimin e Forcës së Sigurisë (FSK) në veri, vetëm me leje të posaçme nga komandanti i KFOR-it. 

Në një diskutimin me gazetarë që e pati të martën gjatë vizitës në Prishtinë, Rutte ka thënë se KFOR-i duhet që së paku të njoftohet me kohë edhe në rastet kur Policia e Kosovës ndërmerr aksione afër kufirit me Serbinë. E në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar nëse do të jepet një zotim i tillë. 

Pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën, ministri Maqedonci ka thënë se do ta respektojë zotimin e autoriteteve të Kosovës, të bërë më 2023, megjithëse nuk pajtohen me këto kufizime. 

“Shpesh është keqinterpretuar një letër që kam shkruar për komandantin e KFOR-it. Asnjëherë nuk kam bërë rizotim. Ministri i Mbrojtjes nuk bën rizotim të një letre, e cila është bërë si zotim nga një kryeministër për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s. Ne kemi thënë se do të respektojmë atë zotim, pavarësisht se nuk pajtohemi nga kufizimet që ka për veprim FSK-ja në veri, pa koordinim paraprak me KFOR-in. Do të vazhdojmë të respektojmë këtë zotim, duke koordinuar paraprakisht me KFOR-in para se të dërgojmë trupa në veri”, ka theksuar ai.

Tek ka folur për zotimin rreth FSK-së, Rutte ka përmendur edhe njoftimin që duhet t’i bëhet KFOR-it kur Policia ndërmerr aksione afër kufirit me Serbinë. 

“Kur bëhet fjalë, natyrisht, për FSK-në, përderisa nuk ka një marrëveshje të re, duhet t’i përmbahemi asaj aktuale, dhe e tashmja thotë qartë se në mënyrë që FSK-ja të dislokohet diku, duhet të ketë, veçanërisht në veri, pajtim paraprak me KFOR-in, komandantin e KFOR-it. Dhe kur është fjala për Policinë e Kosovës, nëse ata janë të dislokuar afër vijës kufitare administrative, është e rëndësishme që së paku të informojnë me kohë para se të ndodhë kjo, pra dislokimin e Policisë së Kosovës, që ta informojnë KFOR-in”, ka thënë Rutte. 

Ai ka shtuar se gjërat megjithëkëtë mund të ndryshojnë në të ardhmen. 

“Ne vërtet dëshirojmë që kjo të ruhet dhe ne e dimë se qeveria këtu është shumë e përkushtuar për këtë. Sigurisht, nuk mund të parashikosh kurrë nëse gjërat mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, por më lejoni të mos hyj tani në atë pyetjen ‘çka-nëse’, sepse ka gjithmonë debate të vazhdueshme se si të shfrytëzohet sa më mirë bashkëpunimi, por nuk ka asgjë të re që unë këtu ta shpall”, ka potencuar ai.  

Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, më 19 prill të 2013-s pati dhënë garanci në NATO se FSK-ja do të ndërmarrë mision në veri vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it. 

Pas dy sulmeve të fundit në veri, që u cilësuan terroriste nga institucionet e Kosovës, Qeveria e riktheu në diskutim çështjen e dërgimit të ushtrisë. Pas sulmit të 29 nëntorit të vitit të shkuar në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin- Potok, në KFOR patën thënë se institucionet e Kosovës i kanë kërkuar autorizim për dërgimin e mundshëm të FSK-së në zonën e prekur, porse kërkesa është refuzuar. 

Forca e NATO-s në Kosovë, pas sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023 është përforcuar me trupa nga Britania e Madhe, Gjermania dhe Turqia, e të cilat i kanë shtruar patrullimet në veri vendit. 
Anëtarësimi në NATO mbetet prioriteti më i rëndësishëm diplomatik dhe i sigurisë së Kosovës, krahas anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). 

Por edhe ky proces mund të marrë kohë, pasi që katër shtete anëtare të Aleancës vazhdojnë të mos ia njohin shtetësinë Kosovës, gjë të cilën e ka përmendur edhe sekretari Rutte. Për t’u realizuar ky synim, ai ka thënë se duhet stabilitet dhe përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja. 

Deri tash ka munguar avancimi i raportit të NATO-s me FSK-në, më shumë se gjashtë vjet pas miratimit të pakos së ligjeve për shndërrimin e Forcës së Sigurisë nga një mandat për mbrojtje civile e reagim emergjent në forcë mbrojtëse. 

NATO-ja pati kërkuar që transformimi të bëhej me ndryshime kushtetuese. Për shkak të pamundësisë që të bëhen këto ndryshime, si rrjedhojë e kundërshtimit nga Lista Serbe, Kosova i ka dhënë start tranzicionit të FSK-së nëpërmjet ndryshimeve ligjore. Ndonëse një numër vendesh e kanë konsideruar të drejtë sovrane të Kosovës tranzicionin drejt ushtrisë, rezervat janë shprehur edhe për shkak të kohës kur është marrë vendimi. 

Njohësi i sigurisë, Bejtush Gashi, ka thënë se vizita e Ruttes në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë është angazhimi për stabilitet dhe siguri rajonale në një kontekst global të pasigurt. 

“Kjo vizitë ka një rëndësi strategjike të veçantë, duke përcjellë mesazhe të fuqishme për aktorët ndërkombëtarë dhe të brendshëm, sidomos në një periudhë të tensionuar globale, ku konflikte të ndryshme, si lufta Ukraina-Rusi, tensionet në Lindjen e Mesme dhe sfidat e brendshme në Ballkan, kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Këto sfida përfshijnë përpjekjet e Republikës Sërpska për shkëputje nga Bosnjë-Hercegovina, si dhe çështjet e Kosovës, që mbeten të pazgjidhura”, ka thënë Gashi. 

Sipas tij, qëndrimi i fortë i NATO-s dhe Ruttes për ruajtjen e kufijve dhe të integritetit territorial të shteteve është një mesazh i qartë për ata që mund të tentojnë të rishikojnë statusin e rajonit. 
“Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, si dy shtete që ende përballen me sfida të mëdha në aspektin e integritetit të brendshëm dhe ndërkombëtar, kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme për të siguruar sovranitetin dhe integritetin e tyre. Ky angazhim nga NATO-ja është një pasqyrë e qëndrueshmërisë dhe sigurisë që aleanca ofron për të mbrojtur shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe për të siguruar që ato të kenë mundësinë të zhvillohen në një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt. Angazhimi për paqen dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka marrë një dimension të shtuar në vitet e fundit, duke u thelluar si pasojë e situatës gjeopolitike të tensionuar në rajon”, ka thënë Gashi. 

Vizita e Ruttes në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë ka qenë e para e tij, qëkur e ka marrë detyrën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-së në tetor të vitit të shkuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here