Qeveria miraton projektligjin për çmimet tavan që ua kishte rrëzuar Kushtetuesja, Kurti e Kusari: Do të parandalojë abuzimin

0
99

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rastet e veçanta të destabilizimit në treg, i cili ishte shpallë antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.

Kryeministri Albin Kurti në prezantimin e tij tha se ky projektligj po miratohet “për të parandaluar abuzimet dhe për të ruajtur konkurrencën e ndershme”.

“Ky projektligj është një instrument i domosdoshmëm për të mbrojtur qytetarët në kohë krize për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të drejta për produkte themelore. Ai i jep shtetit mekanizmat ligjorë për të ndërhyrë në mënyrë proporcionale dhe transparente në interes publik kur tregu përballet me destabilizim serioze”.

Prezantimin e projektligjit e bëri ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se është “domosdoshmëri për mbrojtje të interesave të qytetarëve”.

“Sa i përket vendimmarrjes, për këto masa parashikohet themelimi i një bordi të pavarur për masat e përkohshme për rregullimin e çmimeve, i cili do të emërohet nga Kuvendi dhe do t’i raportojë atij.  Në projektligj janë përcaktuar edhe kushtet për emërimin e anëtarëve të bordit, kompetencat e tij, si dhe procesi i vendimmarrjes”.

Këto masa të qeverisë vijnë si përgjigje për rritjen e çmimit të naftës për shkak të luftës me Iranin.

Kurti e Kusari janë kritikuar për mosndërmarrje të veprimeve sikurse shtetet tjera në uljen e akcizës dhe TVSH-së për t’ia lehtësuar qytetarëve përballimin e kësaj krize./Express/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here