Qeveria: Kërcënimi i drejtpërdrejtë ushtarak ndaj Kosovës nuk është eliminuar

0
188

Serbia vazhdon të mbetet kërcënimi më serioz dhe kryesor ndaj sigurisë së shtetit të Kosovës, thuhet në draft Strategjinë e Mbrojtjes, dokument ky që jep përgjigje për çështjet më të rëndësishme në fushën e funksionimit dhe zhvillimit të sistemit mbrojtës.

Në të konstatohet se Kosova është prekur nga lufta hibride e Rusisë, për të cilën theksohet se së bashku me Serbinë, kanë për qëllim ngritjen e tensioneve në veri të vendit dhe ndezjen e një konflikti ndëretnik.

Fqinjit verior i përshkruhen kapacitetet dhe synimet që ka për ta sfiduar Kosovën.

“Serbia në vazhdimësi ka demonstruar që ka aftësitë, kapacitetet si dhe synimin për të çuar përpara interesat e saj duke cenuar interesat si dhe sigurinë shtetërore të Republikës së Kosovës. Republika e Serbisë vazhdon të përdorë në mënyrë të sinkronizuar të gjitha elementet e saj përmes metodave hibride kundër Republikës së Kosovës”, thuhet në Strategjinë e Mbrojtjes.

Në dokument tregohet formula se si Beogradi zyrtar instrumentalizon pakicën serbe dhe fuqizon strukturat paralele.

“Në territorin e Republikës së Kosovës, ajo përdor elemente informative dhe ekonomike për ta instrumentalizuar pakicën serbe dhe për t’i fuqizuar strukturat paralele, duke penguar procesin e integrimit të tyre. Në të njëjtën kohë, Serbia vazhdon të paraqesë rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e Republikës së Kosovës, duke zhvilluar, modernizuar dhe rritur kapacitetet ushtarake, si dhe pozicionimin e tyre përgjatë kufirit me Kosovën”, thuhet në Strategji.

Njohës të sigurisë thonë se me gjithë përpjekjet për dialog, fqinji verior nuk do të heqë dorë nga veprimet destruktive në raport me Kosovën.

“Përmes planifikimit të aktiviteteve të dhunshme synojnë të minojnë sigurinë jo vetëm të Kosovës por gjithë rajonit. Kjo përpjekje e Serbisë po vazhdon me gjithë përpjekjet e fundit që të arrihet një marrëveshje politike, përmes së cilës do të largoheshin nga agjenda veprimet e dhunshme policore e ushtarake, nga ana e që kanë mbështetje të vazhdueshme financiare nga shërbimet serbe”, tha Bedri Elezi nga Instituti i Kosovës për Studime ndërkombëtare.

Në draftin e Strategjisë së Mbrojtjes theksohet se veprimtaritë e ndryshme, përmes operacioneve të fshehta, paraqesin rrezik real për shtetin dhe për institucionet e Kosovës.

“Veprimtaritë influencuese dhe dezinformuese të shërbimeve informative dhe të sigurisë së shteteve dhe akterëve jo shtetërorë përbëjnë kërcënim në rritje. Këta akterë përdorin tërësi mjetesh dhe mekanizmash (financim të strukturave kriminale, organizata joqeveritare, mjete të informimit), si dhe operacione të inteligjencës për të dëmtuar imazhin dhe interesat e Republikës së Kosovës”, thuhet në Strategjinë e Mbrojtjes.

Në draftin e Strategjisë theksohet se nuk është eliminuar tërësisht kërcënimi i drejtpërdrejtë ushtarak ndaj Kosovës, por vlerësohet se kjo mundësi është zvogëluar pas proceseve integruese të vendeve të rajonit në NATO dhe në BE.

Në këtë drejtim, sipas këtij dokumenti, thelbësore mbetet prania e NATO-s dhe BE-së në Kosovë, si dhe zhvillimi i kapaciteteve të Kosovës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here