Talat Xhaferi që është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut të dielën, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet, sot ka pranuar detyrën, të cilën ia dorëzoi kryeministri i deritanishëm, Dimitar Kovaçevski, raporton Gazeta Sinjali.
Pasi dorëzoi detyrën, Kovaçevski e ka uruar Xhaferin, duke thënë se beson që kjo qeveri do të jetë e përkushtuar në interesat dhe prioritetet e qytetarëve dhe të shtetit.
“Talat Xhaferit i uroj punë të suksesshme si kryetar i kësaj qeverie teknike me ministrat dhe zëvendësit. Besoj se qeveria do të jetë e përkushtuar fuqishëm në interesat dhe prioritetet të qytetarëve dhe shtetit, me kompetencat ligjore. Presim përkushtim në punë të të gjithëve në këtë qeveri dhe në këtë drejtim puna do të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm.”, tha Kovaçevski.
Qeveria teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.
Gjatë debatit parlamentar më herët gjatë 28 janarit, Xhaferi prezantoi programin e punës së Qeverisë, e cila do të ketë mandat prej 100 ditësh, për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.