Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim më 10.10.2024 Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Alexander Kasanof.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit Kurti i ka shprehur Kasanofit vlerësimin e lartë për marrëdhënniet e fuqishme bilaterale mes Kosovës dhe SHBA-së dhe për kontributin e Shteteve të Bashkuara për çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e vendit.
Po ashtu, sipas komunikatës, kryeministri ka falënderuar SHBA-në për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, energjisë, sigurisë dhe më gjerë.
“Kryeministri theksoi edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në pritje edhe të samitit të Procesit të Berlinit të hënën e ardhshme, ku trajtoi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila i kontribuon qytetarëve të dy vendeve”- thuhet në komunikatën e lëshuar pas takimit mes Kurtit e Kasanofit.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit është trajtuar edhe tema e dialogut Kosovë-Serbi, ku thuhet se kryeminsitri Kurti ka shprehur konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit.
“Kryeministri theksoi edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në pritje edhe të samitit të Procesit të Berlinit të hënën e ardhshme, ku trajtoi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila i kontribuon qytetarëve të dy vendeve” – thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Në takim thuhet se Kurtin e ka shoqëruar edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.
Kurse, Kasanof ishte i shoqëruar nga ambadadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.
Alexander Kasanof është emëruar i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, duke e zëvendësuar Gabriel Escobarin.
Kasanof është takuar gjatë ditës edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin.
Sipas njoftimit të Presidencës së Republikës së Kosovës, në takim është diskutuar për forcimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve.
Tutje thuhet se Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës, duke stuar nevojën e dialogur strategjik me SHBA-në si hap i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke potencuar se një Kosovë e integruar në Aleancën Veri-Atlantike forcon sigurinë e vendit, por kontribuon edhe në stabilitetin e rajonit” – thuhet në njoftim.
Presidenca po ashtu ka bërë të ditur se gjatë takimit mes Osmanit dhe Kasanof është diskutuar edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, si fusha e mbrojtes dhe sigurisë./Kallxo.com