Kryeministri, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria do t’i heqë shpenzimet e policave për bashkatdhetarët që do të vijnë këtë verë për pushime në Kosovë.
Kurti në një intervistë për Albinfo.ch ka thënë se lidhja e Kosovës me mërgimatër do të jetë e institucionalizuar edhe më shumë, teksa dëshiron që ata të vijnë për investime në vend.
“Edhe sivjet nuk do të ketë nevojë për ato pagesa në kufi meqenëse derisa të bëhemi anëtarë të kartonit të gjelbër, Kosova i mbulon shpenzimet. E di që bazuar në të dhënat shpenzimet e bashkatdhetarëve tanë kanë qenë afër 10 milionë euro ndërsa dëmet nuk kanë qenë as gjashtë milionë euro. Jemi të interesuar që vitet në vijim të organizojmë pritje për bashkatdhetarët në kuptimin e një turizmi kulturor e historik dhe i cili i bashkëngjitet një programi të gjerë për të gjitha gjeneratat. Lidhja e fuqishme me mërgatën tonë të jetë e institucionalizuar edhe më shumë. Asnjëherë nuk i harrojmë bashkatdhetarët dhe gjithmonë janë e do të jenë pjesë e kombit tonë. Dëshirojmë që ata të vijnë në investime në Kosovë dhe të kontribuojnë përmes përfitimeve” tha Kurti.
Kurti ka folur rreth pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik Global në Davos dhe takimet me bashkatdhetarë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
“Në Davos erdha nga SHBA ku qëndrova për dy javë duke filluar nga fillimi inegociatave me Korporatën për Sfidën e Mijëvjeçarit për një program prej 236 milion dollarëve në sektorin e energjisë e deri tek takimet me kompanitë për investime të shtuara në Kosovë dhe takimi me këshillëtarin për siguri kombëtare të presidentit Biden”, tha Kurti.
“Kthimi në Zvicër drejt rrugës për në Kosovë ishte në nivel të duhur. Mbajtëm 2 tubime me bashkatdhetarë në Konsullatën tonë në Cyrih, Meqenëse Zvicra është një vend i cili jo vetëm që ka rol të theksuar për Kosovën ekonominë dhe zhvillimin atje por gjithashtu bashkatdhetarët në Zvicër besoj se kanë një rol si askund tjetër që ka diaspora jonë për shkak të aktivitetit të tyre, numrit të madh dhe shtetit të Zvicrës i cili tek shqiptarët ka gjetur qytetarët të cilët edhe kontribojnë shumë por në të njejtën kohë edhe nuk e harrojnë atdheun e tyre”.
Mes tjerash, Kurti foli edhe për marrëdhënjet Kosovë-Zvicër dhe mundësisë së avancimit të këtyre raporteve.
“ Një pjesë e investimeve të huaja dhe eksporti edhe nga Kosova janë pjesë e urës zhvillimore që kemi me Zvicrën dhe unë besoj që në muajt në vijim këtë do ta shtojmë edhe më shumë në kuptimin që do të ketë investime më shumë nga Zvicra në Kosovë por edhe eksportet e Kosovës në Zvicër. Tek eksportet duhet theksuar përpunimin e drurit e metaleve, lëkurës, tekstilit dhe gjithashtu edhe agroindustria dhe fushaa e IT-së dhe komunikimit ku Kosova ka përjetur një hov të jashtëzakonshëm.
Ne i jemi përjetësisht falënderues Zvicrës që ka qenë strehë e emigrantëve tanë e refugjatëve tanë dhe sot është një vend në të cilin shqiptarët dëshmojnë edhe shkathtësitë e dijen dhe zellin e vullnetin për të kontribuar për Zvicrën por edhe për Kosovën dhe kombin shqiptar”, theksoi Kurti.