Qeveria e Kosovës pret që pushteti lokal në Deçan – komunë në pjesën perëndimore të vendit – ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit, ndërsa Komuna e Deçanit, e cila gjatë gjithë këtyre viteve e kundërshtoi zbatimin e këtij vendimi, thotë se nuk ka ndryshuar qëndrim, përcjell Reporteri.net.
Kjo komunë udhëhiqet nga zyrtarë të partisë opozitare të Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.
Një aktgjykim i vitit 2016, i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për çështjen e 24 hektarëve tokë dhe pyje që t’i takojnë Manastirit të Deçanit, mund të gjejë implementim tash pas 8 vitesh, me shtysë të Qeverisë së Kosovës e udhëhequr nga kundërshtari – të paktën deri më tash – i zëshëm i këtij vendimi, Albin Kurti, gjoja në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
I bazuar në “politikën diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë, të vitit 1997, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, insistonte për vite me rresht se është vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për t’i detyruar autoritetet lokale të Deçanit që t’ia kthejnë Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë dhe pyje përreth objektit të kultit serb.
Pak më shumë se dy vjet nga hera e fundit kur Kurti dha deklarimin e përfolur më sipër, Qeveria e tij është gati të shtyjë përpara këtë proces, gjoja në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ka marrë vesh gazeta online Reporteri.net.
Siç merret vesh, Qeveria është e gatshme që ta ftojë publikisht komunën për ta zbatuar “vendimin e dhimbshëm”, me qëllim që të dëshmohet se “Kosova është shtet ligjor”.
Ndonëse “nuk do që ta obligojë komunën” për ta zbatuar vendimin, me shpresën se kjo do të arrihet “në mënyrë të pavarur dhe pa presion”, Qeveria beson se po shkon “në drejtimin e duhur”.
Gazeta Online Reporteri.net, nga burime të besueshme brenda procesit, merr vesh se Qeveria e Kosovës, ka nisur komunikim me Komunën e Deçanit që drejtohet nga partia opozitare AAK, për ta bindur kryetarin Bashkim Ramosaj që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sikurse ekzekutivi kosovar po punon edhe në drejtimin e mënjanimit të pengesave që mund t’i paraqesë Agjencia Kadastrale e Kosovës karshi implementimit të aktgjykimit të vitit 2016 që njeh Manastirin e Deçanit si pronarin legjitim të tokave në fjalë.
Nga Dioqeza e Rashkës-Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë i thanë REL-it se askush nga institucionet e Kosovës “nuk ka kontaktuar as me Dioqezën, as me Manastirin e Deçanit”, në lidhje me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Presim që institucionet e Kosovës, më në fund, ta kryejnë punën e tyre në përputhje me ligjin, ta regjistrojnë tokën tonë në kadastër dhe t’i lëshojnë manastirit një vërtetim pronësie, në përputhje me vendimin e Gjykatës. Besojmë se ky do të ishte një hap i rëndësishëm për sundimin e ligjit”, thuhet në përgjigje.
Shtohet, po ashtu, se Kisha Ortodokse Serbe ka qenë gjithmonë e gatshme “për dialog, me qëllim të përmirësimit të jetesës dhe zgjidhjes së çështjeve praktike”.
Në rast se Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë Parlamentare, atëherë fjalën e fundit duhet ta japë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës – gjë të cilën Qeveria e pret të ndodhë në muajin maj.
Në atë rast është e mundur që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të kushtëzohet edhe me çështje të tjera, si dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe etj.
Më 4 mars, Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI) publikoi një raport, në të cilin vlerësohet se kontesti pronësor midis autoriteteve të Kosovës dhe Manastirit të Deçanit është një nga pengesat kryesore për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.